Dy shtëpitë e Adem Demaçit tashmë nën mbrojtje ligjore

Dy shtëpitë e Adem Demaçit tashmë nën mbrojtje ligjore

“Shtëpia e lindjes së Adem Demaçit” dhe “Shtëpia e Adem Demaçit” tani janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Nga e mërkura këto dy objekte janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Ky veprim i Ministrisë së Kulturës është bërë në kuadër të zgjatjes së afatit edhe për një vit sa i përket mbrojtjes ligjore të monumenteve.

Shtëpitë janë marrë nën mbrojtje dy muaj e gjysmë pas vdekjes së shkrimtarit, disidentit e fituesit të çmimit “Sakharov”.

Demaçi lindi më 26 shkurt 1936 dhe ndërroi jetë më 26 korrik të këtij viti.

Për shkak të bindjeve të tija politike, ai kishte qëndruar në burgjet jugosllave për 28 vjet duke iu nënshtruar tri gjykimeve.

Qeveria e Kosovës në vitin 2008 i kishte dhënë Demaçit statusin e qytetarit me merita të veçanta.