Dy persona janë arrestuar nga Policia e Shqipërisë, pas veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në plazhin e Velipojës, ku pas një konflikti katër persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, transmeton Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e policisë, dy personat që dyshohet se kanë kryer këto vrasje, janë 54-vjeçari H.V., dhe nipi i tij 17 vjeçar – E.D, të cilët po trajtohet në Spitalin e Trumës në Tiranë.
“Bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit: H. V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Përveç të arrestuarve Policia e Shqipërisë ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë A.V., Sh. V. Dhe B. V., të cilët janë vëllezër dhe dyshohet se janë bashkautorë në vrasjen e katërfishtë që ndodhi mbrëmë.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Insajderi.com