Dy të arrestuarit në “Zone Club” janë anëtarë të stafit

Dy të arrestuarit në “Zone Club” janë anëtarë të stafit

Dy anëtarë të stafit menaxhues të klubit të natës “Zone Club” në Prishtinë u arrestuan të premten e 11 gushtit. Lajmin për këtë arrest e ka konfirmuar njëri nga pronarët e lokalit, Dekorim Sahiti.

Policia e Kosovës kishte pritur tre ditë të tëra për të njoftuar qytetarët rreth këtij incidenti.

Sipas policisë personat e arrestuar në klubin e natës në Prishtinë “Zone Club”, ishin sjellë në “mënyrë arrogante me njësitet policore”.

“Gjatë operacionit njësitet policore janë ballafaquar me mosbashkëpunim dhe sjellje arrogante nga ana e dy personave të dyshuar të cilët janë shoqëruar në stacion policor”, njoftoi sot Policia e Kosovës, raporton Insajderi.

Për këtë ka reaguar njëri nga aksionarët e “Zone Club”, Dekorim Sahiti, i cili ka mohuar mosbashkëpunimin e dy anëtarëve të stafit me policinë.

“Faktikisht edhe me policët në stacion kur i kanë dërguar këta dy janë mundu edhe deklaratat me ia ndërrua vetëm pse e kanë pa që kanë gabuar komplet”, ka thënë ai./Insajderi.com