Dy të vdekur në Deçan, dyshohet se u helmuan nga uji

Dy të vdekur në Deçan, dyshohet se u helmuan nga uji

Dy persona kanë vdekur si pasojë e situatës që është krijuar në rajonin e Deçanit, ku rreth 900 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas dyshimit se janë helmuar me ujë të pijshëm.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se këto dy raste janë cilësuar “Vdekje të dyshimta”.

Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për oduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të kuptuar rrethanat e vdekjes së tyre.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi.

Ditëve të fundit rreth 900 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, banorë këta që dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se ende po priten rezultatet e analizave biologjike, derisa ka shprehur dyshimet e tij se në rast se ky është helmim, mund të jetë bërë në mënyrë të qëllimshme. /Insajderi.com