Peter Stano për Shqip.com: U takon dy palëve (Kosovës e Serbisë) që të përcaktojnë ritmin e negociatave.
Ka kaluar gjysma e parë e muajit janar, por ende nuk është paralajmëruar ndonjë takim i mundshëm mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel për çështjen e dialogut.
Por, përkundër kësaj pauze nga Bashkimi Evropian thonë se s’kanë në plan ndonjë takim tash rishtazi, meqë s’janë ata që vendosin për rrjedhën e dialogut.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Shqip.com ka deklaruar se “u takon dy palëve (Kosovës e Serbisë) që të përcaktojnë ritmin e negociatave”.
“Si gjithmonë, ne shpallim çdo takim të ardhshëm të Dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme. Siç thamë edhe më parë, Borrell dhe Lajçak janë të gatshëm të lehtësojnë bisedimet kuptimplote ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çdo kohë”, thuhet ndër tjerash në përgjigje.
Por, me rrjedhën e tanishme dhe inecerinë që ka kapluar procesin, marrëveshja mes dy vendeve vështirë duket në horizont.
Skeptik është edhe profesori universitar për Integrime Evropiane, Dritëro Arifi.
Arifi për Shqip.com deklaron se sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë për një “aktivizim” të tyre për të pasur progres në këtë aspekt.
“Gjithmonë janë shanset që të arrihet këtë vit, por në fund varësisht se si do të shkojnë zgjedhjet në Serbi. Nuk besoj që nëse fiton prapë Vuçiqi të ketë ndonjë lëvizje pa ndonjë shkundje të madhe nga perëndimi, nëse nuk ka presion të fuqishëm nga perëndimi vështirë do të arrihet marrëveshje finale. Por marrëveshje tjera mund të arrihen gjatë këtij viti, por ajo finale jo”, tha ai.
Mendimin e njëjtë për mos arritjen e një marrëveshjeje finale e ka edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili thotë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën në asnjë variant.
Krasniqi thekson se kjo ndodhë për shkak se presioni më i madh ndërkombëtar është mbi Kosovën, që sipas tij do të ishte te pala tjetër.
“Situata në Kosovë është e keqe në arenën ndërkombëtare sepse as SHBA-të dhe BE-ja nuk janë duke bërë fare presion mbi Serbinë, por mbi Kosovën, kështu që në këtë aspekt po besoj që qasja e komunitetit ndërkombëtar është që duke i bërë Serbisë lëshime edhe në Kosovë edhe në Bosnje ta tërheqin nga sfera ruse”.
“Kjo qasje nga perëndimi është e gabuar por ata këtë e kanë. Kështu që Kosova nuk i ka punët mirë në këtë proces të dialogut sepse presioni do të jetë më shumë mbi Kosovën sesa mbi Serbinë”, tha ai.
Temat që pritet të diskutohen në dialog gjatë vitit 2022
Dy profesorët kanë treguar për Shqip.com se cilat nga temat mund të diskutohen gjatë këtij viti në tryezën e Brukselit, kurdo që caktohet një takim.
Sipas Arifit, janë dy tema me urgjencë që duhet të diskutohen dhe mund të rregullohen në plan afat shkurtër.
“Nëse i referohemi letrës së Blinken, janë dy tema që do të jenë me urgjencë që të rregullohen në plan afatshkurtër, ato janë për energjinë për Veriun e Kosovës që duhet të implementohet, e dyta për të pagjeturit, pra është një plagë që 21 vite që duhet të mbyllet, që të dyja palët të ecin tutje, sepse të gjitha çështjet mund të rregullohen nëse rregullohet sidomos çështja e të pagjeturve”, tha ai.
Por, ai shton se SHBA-të, në mënyrë indirekte, do të bëjnë një lloj “presioni” ndaj palëve dhe ndaj Lajçakut në mënyrë që t’i trajtojnë me seriozitet më të madh këto çështje.
“Qeveria e Kosovës e ka vështirë të imponojë tema tjera, sepse kjo varet nga ndërmjetësuesi dhe nga pala amerikane, edhe pse SHBA besoj që nuk do të jetë e involvuar direkt por tërthorazi do ta bëjë në prapaskenë që t’i detyrojë palët të ulen por edhe ndërmjetësuesin ta ‘shkund’ të bëhet më serioz në mbikëqyrjen e zbatimeve të nënshkruara që mund të merr ndonjë seriozitet më të madh”, tha ndër tjerash ai.
Ndërkaq, Krasniqi mendon se objektivi i Qeverisë do të ishte padia për gjenocid ndaj Serbisë, pasi që sipas tij, “do ta nxirrte në defanzivë Serbinë”.
“Po, Qeveria e Kosovës në takimin e parë ka paraqitur një platformë që ka qenë ambicioze dhe jo realiste, por ajo e ka paraqitur si të tillë. A do t’i përmbahet apo do ta modifikojë, kjo do të shihet”, deklaroi ai.
Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe i pashmangshëm – nëse nuk ndodh, mund të rrëzohet Qeveria
Publicisti, Milazim Krasniqi, po vlerëson se gjatë këtij viti do të rritet presioni ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit, pasi që edhe e ka ratifikuar këtë marrëveshjes përmes Kuvendit.
Fatmirësisht, ai thotë se Gjykata Kushtetuese ka gjetur elemente që duhet eliminuar nga kjo marrëveshje, por që varet se sa janë “të shkathët, të aftë, të guximshëm e kreativë krerët për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje”.
Në të kundërtën, Krasniqi mendon se mund të ketë edhe rrëzim të Qeverisë për shkak të presionit të shtuar ndërkombëtar, sidomos nga SHBA-ja.
“Nëse ngulin këmbë që nuk do të formohet fare siç ka deklaruar Kurti dhe Osmani, atëherë presioni mbi ta do të jetë i tmerrshëm dhe do të kenë hapësirë të ngushtë veprimi, ndoshta bile mund të shkohet deri te rrëzimi i Qeverisë sepse komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA-të, janë të vendosur të gjejnë zgjidhje ndërsa zgjidhja shkon pashmangshëm duke formuar Asociacionin”, shtoi ai.
Edhe Arifi thotë se themelimi i Asociacionit gjatë 2022-ës është i pashmangshëm, pasi që është përgjegjësi e Kosovës.
Njohësi i çështjes së dialogut shton se varet krejtësisht nga aftësia e Qeverisë së Kosovës se a do ta shtyjë këtë pikë për marrëveshjen finale apo jo.
“Apo do të bëjë një lojë më inteligjente që ta bëjë me fusnotë statutin e Asociacionit. Pra Asociacioni hyn në fuqi në momentin që Serbia e njeh Kosovën, pra edhe kjo mund të jetë opsionale. Qeveria duhet të hulumtojë të gjitha opsionet e mundshme dhe të ofrojë strategji më inteligjente”, tha ai.
Ndryshe, gjatë këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq – janë takuar vetëm dy herë në Bruksel.
Në të dyja takimet, nuk ka pasur ndonjë rezultat të ndonjë dakordimi të arritur mes palëve.
Marrëveshja e vetme që është arritur gjatë 2021-ës ka qenë ajo për targat mes dy vendeve, pas shumë tensionesh në veri të vendit ku serbët lokalë kishin bllokuar dy pikat kufitare mes dy vendeve.
Kjo kishte ardhur pasi që Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti ndaj Serbisë, masë e cila detyronte veturat që vinin nga ky shtet të zëvendësonin targat e veturave përkohësisht me ato të Kosovës.
Në marrëveshjen e arritur, thuhet se veturat e dy vendeve, në vizitat e shteteve duhet që simbolet shtetërore në targa t’i mbulojnë me stikersa (ngjitës)./Insajderi.com