Fruthi shkakton dy vdekje brenda 5 ditëve në QKUK

Fruthi shkakton dy vdekje brenda 5 ditëve në QKUK

Një person i moshës 37-vjeçare nga komuna e Lipjanit ka ndërruar jetë si pasojë e epidemisë së fruthit. Lajmin e kanë bërë të ditur Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së. Një javë më parë nga fruthi vdiq edhe një foshnjë 15-muajshe.

 

Fazliu tha sot se edhe përkundër kujdesit intensiv  të vazhdueshëm dhe reanimimit nga stafi i Klinikës Infektive, 37-vjeçari nuk ka mundur që t’i mbijetojë sëmundjes.

“Ju konfirmoj se sot rreth orës 13:30, është shënuar viktima e dytë nga fruthi në Kosovë. Viktima e moshës 37-vjeçare nga komuna e Lipjanit, para 2 muajve ishte diagnostifikuar me tuberkuloz, ndërkohë qe më shumë se 2 javë i diagnostifikuar edhe me fruth ndodhej në Klinikën Infketive”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të QKUK-së.

Ndërkohë mbi 140 pacientë, që nga muaji qershor i këtij viti e deri më sot, kanë kërkuar trajtim nga epidemia e fruthit në Klinikën Infektive në QKUK.

Nga këta pacientë, një foshnjë ka vdekur para pesë ditësh, ndërsa edhe 2 persona të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Epidemisë së fruthit nuk i kanë shpëtuar as stafi mjekësor i Klinikës Infektive. Katër mjekë të kësaj Klinike, të cilët kanë pasur kontakt me pacientët e sëmurë, janë prekur nga fruthi.