Dy vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur të martën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nuk kanë të bëjnë me helmimin në Deçan, por si shkak i sulmit kardiak.
Kështu është bërë e ditur të mërkuren nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, në një prononcim për Insajderi-n tha se këto dyshime i ka hedhur poshtë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Nikçi tha se nga 11 korriku janë duke e trajtuar rastin e helmimeve në komunën e Deçanit por që kanë autorizuar organet përgjegjëse për kryerjen e analizave të ujit.
“Jemi në pritje edhe të disa rezultateve tjera që shpresojmë që të njëjtat do japin ndonjë rezultat. Njëkohësisht janë duke u hetuar disa pista të hetimit dhe shpresojmë se nga këto hetime që po bëhen në terren, shpresojmë që brenda një kohë të shkurtë të marrim një epilog se çka ka ndodhur në atë rajon”, potencoi ai.
Që nga e shtuna e 10 korrikut, mbi një mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji.
Shpallet gjendje emergjente, Prokuroria nis hetimet
Lidhur me situatën e krijuar, Komuna e Deçanit të martën ka shpallur gjendje emergjente, derisa prokuroria ka filluar hetimet për mënyrën se si ka ardhur helmimi i banorëve.
Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, gjatë së martës ka njoftuar se ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave biologjike që janë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik në Pejë, por që dyshohet se ky helmim ishte i qëllimshëm.
Ndërkaq, një ditë më pas, Ramosaj tha se rastet e para që dyshohet të jenë të helmimit me ujë të pijes janë paraqitur në 10-ditëshin e parë të muajit qershor.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, ka njoftuar të martën se është kthyer furnizimi me ujë të pijes në fshatrat e Deçanit, megjithatë është bërë thirrje që ky ujë të mos pihet.
Sipas KRU “Hidrodrinit”, analizat e bëra të këtij uji flasin se ai është brenda normave duke rezultuar në kufij të lejuar, sipas standardeve evropiane.
Opozita kritikon Vitinë
Deputetët opozitarë kanë kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zyrtarët tjerë të qeverisë për “mosdaljen në ndihmë të këtyre qytetarëve”, pasi asnjë nga ta nuk i kishte vizituar deri të martën.
Ndërkaq, drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, ka deklaruar të hënën se gjendja në QKMF-të e kësaj komune është e keqe pasi ka mungesë të barnave për pacientët e helmuar.
Pas kësaj deklarate dhe kritikave të hedhura, të martën ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar Deçanin, nga ku ka mbajtur një konferencë për media.
Gjatë vizitës atje, Vitia tha se është përpiluar një listë e barnave esenciale dhe pajisjeve tjera të nevojshme të cilën MSH-ja do ta trajtojë me prioritet.
Një kontingjent me barna në QKMF-në e Deçanit ka arritur të martën mbrëma.
Për situatën e krijuar në Deçan është deklaruar edhe shefi i qeverisë, Albin Kurti.
Ai tha se Qeveria e Kosovës do t’iu përgjigjet nevojave të qytetarëve të helmuar në Deçan, për të përmirësuar situatën.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti deklaroi se është në komunikim të vazhdueshëm me vartësit e tij dhe me institucionet përgjegjëse, anipse ndodhet jashtë vendit për vizitë zyrtare.
Ky reagim i Kurtit erdhi tri ditë pas paraqitjes së problemit te banorët Deçanas që kërkuan ndihmë mjekësore pas simptomave (vjellje dhe diarre), numri i të cilëve çdo ditë deri më sot ka shënuar rritje.
Për vizitë në Deçan të martën ishte edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Nga atje, ajo ka ftuar institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë që të trajtojnë këtë rast me urgjencë dhe të dihet shkaku i helmimit.
Sipas saj, nga rezultatet që kanë pranuar ka pasur edhe qytetarë që janë helmuar dhe nuk kanë qenë të furnizuar nga burimi i njëjtë i ujit.
Bashkë me Osmanin, edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka vizituar pacientët në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.
Me këtë rast ajo ka kërkuar po ashtu që të gjendet burimi i këtij infeksioni./Insajderi.com