Ryshfet prej një mijë euro iu është dhënë zyrtarëve të cilët janë arrestuar si të dyshuar për rastin e njohur “Subvencioni 2021”.
Një nga këto raste tregohet në kërkesën për Caktimin e Paraburgimit, ku thuhet se e pandehura K.B-S., dyshohet se ju ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtarëve të tjerë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në mënyrë që të njëjtit ta fusin në listën e përfituesve për subvencione një person, i cili ende nuk është arrestuar.
“Kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit, ku e njëjta dëgjohet duke biseduar me drejtorin L.S., dhe S.Sh, bisedë ku negociohet rreth shumës së parave që duhet të ua jap aplikuesi të dyshuarve”.
“Fillimisht S.Sh., në prezencë të drejtorit L.S., i kërkon K.B-S, shumën prej dy mijë eurove dhe pas negociatave të zhvilluara dakordohen që puna të kryhet për shumën një mijë euro”.
Por, ryshfetet janë ndarë edhe në shuma të tjera, duke filluar nga dy mijë euro për të ndarë subvencione prej 13 mijë e 472 euro në mënyrë të kundërligjshme.
“I pandehuri P.K, dyshohet se ju ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtarëve tjerë në AZHB në mënyrë që të njëjtit të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione atë dhe vëllaun e tij Sh.K., kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit ku shihet B.N., në dy raste duke sjell shumën e parave prej pesë mijë eurove dhe dy mijë euro L.S, të cilat i ndajnë përgjysmë dhe gjatë bisedës të njëjtit thonë se këto para ia ka dhënë ryshfet P dhe Sh.K., ndërsa këta dy të fundit së bashku kanë përfituar subvencion shumën e parave prej 13 mijë e 472 euro në mënyrë të kundërligjshmë”. /Insajderi.com