Dy shqiptarë nga Kosova, që punojnë në Aereoportin e Zaventem, i kanë shpëtuar sulmeve terroriste të së martës në Bruksel.

Liridon dhe Valon Avdiaj janë dy vëllezërit që punojnë në aeroportin ku ndodhën dy sulme terroriste nga një rrjet terrorist i ngritur në Bruksel, që lanë të vdekur 20 njerëz – 11 të tjerë vdiqën në njërën prej metrove të Brukselit.
Në paraditen e së martës Liridoni ishte në punë. Ai tregon se ishte vetëm 50 metra larg njërit prej sulmeve të terroristëve.
“Isha 50 metra afër. Shumë zor ishte në ato momente me gjet fjalët e mira me i thënë prindërve mos kini frikë, ne jemi këtu për ju. I kam marrë kolegët e mi dhe iu thashë shkojmë se ka atentat”, ka rrëfyer Liridon Avdiaj.
Edhe pse ndjenja e përkatësisë së origjinës shqiptare është e fortë, Liridon dhe Valon Avdiaj këto ditë të vështira e ndiejnë më shumë vetën belg.
“Jam shqiptar, kam gjak shqiptari… sot pak belgu e ka pak sepse ka ndodh në Belgjikë jetoj në Belgjikë, kam arsim në Belgjikë, nëna Belgjikë më ka dhënë krejt, nëse nuk ndjehem belg sot nuk ndjehem kurrë”, thotë Valon Avdiaj, njofton TV Klan.
Në qendër të Brukselit, të rinj dhe shumë qytetarë janë mbledhur në shenjë solidariteti, kundër terrorizmit, për t’i dhënë mbështetje njëri – tjetrit, pasi jeta vazhdon. /Insajderi.com