Dy ‘veprimet’ e vetme të Glauk Konjufcës prej që është zgjedhur Kryeparlamentar

Dy ‘veprimet’ e vetme të Glauk Konjufcës prej që është zgjedhur Kryeparlamentar

Kanë kaluar 12 ditë prej zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit të Kosovës, por ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka realizuar shumë paraqitje publike si udhëheqës i këtij institucioni.

Në ditën e zgjedhjes kryeparlamentar, Konjufca u shfaq në një intervistë televizive. Mirëpo, pas kësaj paraqitjeje, Konjufca është shfaqur shumë rrallë si kryeparlamentar. Të rralla janë edhe aktivitetet e tij, raporton Gazeta Online Insajderi.

Në uebfaqen e Kuvendit të Kosovës nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë prej zgjedhjes së Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës.

Si aktivitete të tij mund të konsiderohen vetëm dy komunikata për mediat. Të dy këto kumtesa kanë të bëjnë me urimet për festa: njëra prej ndërrimin e motmoteve, ndërkaq tjera për rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse.

“Kryeparlamentari Konjufca uron qytetarët e besimit ortodoks me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë qytetarët e besimit ortodoks në Kosovë”, shkruhet në njoftimin e kryetarit Konjufca të hënën.

Në uebfaqen e Kuvendit po ashtu nuk është njoftuar se kush do ta përbëjë kabinetin e kryetarit Konjufca. Nuk është bërë e ditur se kush janë këshilltarët e kryeparlamentarit Konjufca.

Glauk Konjufca u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor me 75 vota të deputetëve. /Insajderi.com