Dy viktima nga Coronavirusi në Gjilan, Haziri e quan gjendjen alarmante

Dy viktima nga Coronavirusi në Gjilan, Haziri e quan gjendjen alarmante

Dy persona të infektuar me Coronavirus nga komuna e Gjilanit kanë ndërruar jetë përgjatë 24 orëve të fundit, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, i cili ngushëlloi familjet e viktimave, duke thënë se këto raste janë alarm për respektimin e masave kundër kësaj pandemie.

“Brenda 24 orëve të fundit i kemi fatkeqësisht edhe dy të vdekur nga COVID-19. Iu shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes Sopi dhe Elezi, për humbjen e më të dashurve të tyre. Edhe këto dy raste me fatalitet, janë alarm i madh që duhet të kujdesemi, t’i respektojmë masat anti-COVID. Ju lus nga zemra që t’i përmbaheni rregullave, për vetën, për familjen, për qytetin për Republikën”, thuhet në komunikatë.

Haziri gjithashtu ka dhënë detaje rreth gjendjes me COVID-19 në qytetin të cilin ai e drejton duke shtuar se deri më tani 23 qytetarë të saj kanë vdekur me Coronavirus si dhe 169 raste të tjera janë ende aktive.

“Haziri ka konfirmuar se pas 11 rasteve të reja pozitive, numri total shkon 587 raste, të shëruar janë 395, të hospitalizuar 35, raste aktive 169, ndërkaq të vdekur 23 qytetarë Ndërkohë, numri i mostrave në pritje është 91, prej të cilëve 41 nga SC Gjilani”, vazhdon njoftimi. /Insajderi.com/