Dyshime për keqpërdorime në Autostradën e Gjilanit: Sot pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës

Dyshime për keqpërdorime në Autostradën e Gjilanit: Sot pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës

Të enjten e 4 nëntorit pritet të nis gjykimi ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës , Betim Reçica, nën dyshime për “keqpërdorime” në Autostradën e Gjilanit.

Por, jo vetëm ndaj tij – të akuzuar janë edhe trezyrtarë të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Kqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shpëlarja e parave – janë dy veprat mbi të cilat ngarkohet ish-sekretari i MI–së.

Ndryshe, seanca e 22 shtatorit nuk ishte mbajtur, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Florin Vërtopi kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij, e për të njëjtën arsye ishte anuluar edhe seanca e 23 shtatorit, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 shkurt 2021 e kishte njoftuar opinionin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special në qershor të këtij viti,  kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve Reçica, Berisha, Limani dhe Emini.

Kundër këtij vendimi, mbrojtja brenda afatit ligjor kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç’rast kjo e fundit në gusht të këtij viti  kishte refuzuar ankesat si të pabazuara.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me përbërje të trupit gjykues të udhëhequr nga kryetar i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Valbona Musliu-Selimi.

Ndryshe, Betim Reçica është protagonist edhe në dokumentarin e Shënjestrës të Shqip.com.

Bëhet fjalë për “privilegjet” që kishte marrë kompania “Matkos” sidomos gjatë kohës sa Pal Lekaj ishte ministër i Infrastrukturës dhe Raçica sekretar.