Dyshime për krim të organizuar gjatë ndarjes së thëngjillit për punëtorët

Dyshime për krim të organizuar gjatë ndarjes së thëngjillit për punëtorët

Korporata Energjetike e Kosovës këtë vit i ka dhënë rol menaxhues Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK). Ndarja e thëngjillit falas për punëtorët e kësaj korporate, është praktikë që zbatohet qe shumë vite, por përfshirja e SPEK-ut në organizimin e punës, madje edhe në zgjedhjen e operatorit ekonomik për përgatitjen e terrenit për mihje dhe transportin e thëngjillit, bëhet vetëm vitin e fundit, shkruan sot Koha Ditore.

Një urdhëresë e vitit 2012 e siguruar nga gazeta, që ishte nënshkruar nga drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, e protokolluar më 17.08.2012, pos specifikave të tjera shkruhej se transportin e organizonte Divizioni për Prodhimin e Qymyrit dhe SPQK-ja dhe jo Sindikata siç ka ndodhur sivjet.

Ndërsa, përcjelljen, evidentimin dhe mbikëqyrjen për dhënien e thëngjillit e organizonte, po ashtu, DPQ-ja përmes departamenteve për përkrahje afariste, SPEK-ut dhe Departamentit të SI dhe MKZ-së.

Se tjera vjet nuk ishte lënë dhënia e thëngjillit vetëm në dorë të Sindikatës e vërteton edhe një dokument i datës 27.10.2016 i Divizionit për Prodhimin e Qymyrit-Departamenti i përkrahjes afariste. Ky dokument i siguruar nga “Koha Ditore” që mban titullin Informatë nr.13 kërkon nga punëtorët të cilët nuk e kishin tërhequr thëngjillin deri në këtë datë, që ta bënin një gjë të tillë.