Pos dyshimeve se uji në Deçan është i helmuar, ka raportime se edhe uji që shitet në treg është shtrenjtuar.
Për këtë Gazeta Online Insajderi, ka kontaktuar me Drejtorin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imerin, i cili tha se nuk mund të jap një përgjigje për momentin, pasi “hulumtim për këtë çështje ende nuk është bërë”.
“Ka një lëvizje të çmimeve në treg përfshirë atë të ujit, nuk kemi bërë hulumtim nëse është ndonjë marrëveshje për ta shfrytëzuar situatën”, tha ai.
Megjithatë, Imeri nuk e përjashtoi mundësinë e një kontrolli dhe analize, për të parë nëse rritja e çmimeve ka lidhje me rastin e fundit të helmimit të disa banorëve dhe shqetësimeve se erdhi nga uji.
Imeri tha se inspektorët e AKK-së do të kontrollojnë nëse eventualisht “ka shfrytëzim të situatës”, nga afaristët.
Helmimet e para në Deçan u lajmëruan qysh nga e diela e 11 korrikut.
U raportuan se disa persona janë helmuar, por shkaqet ende nuk dihen.
Vetë banorët aludojnë te uji – thonë se “ishte i helmuar”.
Për këtë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, pritet të dal me raportim për atë që 1500 qytetarëve iu shkaktoi infektim.
Të martën në qendrën spitalore në Deçan ishin edhe presidentja, Vjosa Osmani, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla.
Megjithatë, autoritetet lokale, por edhe opozita ka kritikuar qasjen e qeverisë në përgjithësi dhe në veçanti kryeministrin Albin Kurti, i cili po qëndron jashtë vendit, në kohën kur Deçanin ka shpallur gjendje emergjente.
Kurti aktualisht gjendet në Athinë, si i ftuar në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga qeveria greke dhe gazeta The Economist, derisa ka marrë pjesë edhe në simpoziumin e partive të majta atje.
Kurti ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook. Ka shprehur shqetësimin e tij për situatën. Shtoi se Donika Gërvalla e Arben Vitia janë në detyrë për atë që ndodhi në komunën perëndimore të Kosovës.