Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka parashtruar pesë kërkesa për Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti lidhur me dyshimet për helmimin nga uji i pijes të mbi një mijë qytetarëve në Deçan.
Mes tjerash, Selmanaj ka kërkuar që të thirret një mbledhje urgjente dhe të ndahen mjete financiare për trajtimin e pacientëve.
“Të thirret urgjent mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë për gjendjen e rëndë në Komunën e Deçanit; Të ndahen mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësorë për të gjithë të prekurit; Të sigurohen barnat e nevojshme për trajtimin e të sëmurëve;
Të dërgohen profesionistë shtesë shëndetësorë për t’ju dal në ndihmë Qendrave të Mjekësisë Familjare në Komunën e Deçanit; Të merren dhe dërgohen mostrat e analizave në vendet e zhvilluara për të nxjerrë sa më parë përfundimet e shkaqeve që quan në helmimin kaq masiv të qytetarëve të kësaj komune”, ka shkruar ai në Facebook.
Mbi një mijë e 500 qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, dy prej të cilëve kanë vdekur, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji.
Dy rastet e vdekjeve janë cilësuar si të dyshimta, ndërkaq trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
IKSHPK ka arritur të marrë mostrat e ujit, nga i cili dyshohet se po vjen helmimi, megjithatë nuk ka arritur të sigurojnë rezultatin final. Deri më tani, nuk dihen shkaqet e helmimit./Insajderi.com