Dyshimet për manipulim me vota, kandidati i PDK-së kërkon rinumërim

Dyshimet për manipulim me vota, kandidati i PDK-së kërkon rinumërim

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, ka reaguar pas dyshimeve se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka pasur manipulim të votave për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Ai ka kërkuar që votat të rinumërohen, pasi sipas tij, skandalet e fundit “nuk lënë asnjë rrugë tjetër”.

“Ajo çka është jashtëzakonisht e rëndësishme është që qytetarëve nuk guxon t’iu mbetet dyshimi se votat nuk u kanë shkuar në adresën e dhënë prej tyre. Kjo ka shumë më shumë rëndësi sesa kush, sa, e prej cilës parti bëhen deputetë”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se riemërimi duhet të bëhet “në mënyrë transparente e me rinumërim të fletëvotimeve, jo vetëm të formularëve sepse kjo nuk prodhon asgjë të re dhe, fatkeqësisht, nuk e sjell rezultatin e vërtetë të zgjedhjeve”./Insajderi.com