Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se janë siguruar prova ndaj tre personave lidhur me dyshimet për një aferë korrupsioni ku janë dhënë pesë mijë euro për të mbyllur një lëndë në Prokurori, përcjell Insajderi.
Sipas Kryeprokurorit, rasti kishte filluar të hetohet më 10 shkurt 2021, pra para se të publikohej hulumtimi i “Kallxo.com-it”.
“Prokuroria Speciale menjëherë ka filluar hetimet, të cilat janë zhvilluar me intensitet dhe prioritet të lartët dhe shumë shpejtë do të ketë vendim përfundimtar nga ana e Prokurorisë ndaj tre personave lidhur me veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 431, Paragrafi 1 dhe Paragrafi 2 i Kodit Penal, që ka qenë fuqi në vitin 2017, kur edhe dyshohet të jetë kryer vepra penale”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, si autoritet kompetent, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit ndaj prokurores së rastit nëse vërtetohet që e njëjta ka bërë sjellje eventuale, të cilat janë në kundërshtim me ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për zbatimin e ligjshmërisë ndaj secilit individ dhe veprimi të kundërligjshëm pavarësisht funksionit dhe pozitës së tij, duke mos bërë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com