Dyshohet se dhunoi gruan e tij- Flet imami Fehim Dragusha, tregon dinamikën e ngjarjes

Dyshohet se dhunoi gruan e tij- Flet imami Fehim Dragusha, tregon dinamikën e ngjarjes

Fehim Dragusha nga Prishtina ka 10 vite që punon si imam në Zvicër.

37 vjeçari atje ka shkuar me lejen e Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë, por Kantoni i Saint Gallen, atij nuk ia ka vazhduar lejen e qëndrimit, me dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj ish-gruas së tij që është nga Singapori.

Dragusha në një intervistë për Indeksonline ka mohuar këto akuza, duke thënë se janë të pabaza, derisa ka theksuar se të gjitha këto janë bërë për shkak të xhelozisë dhe hakmarrjes nga ish-gruaja.

Imami tregon se në fillim të martesës ata kanë pasur raporte shumë të mira, ani pse prindërit e ish-gruas kanë qenë kundër kësaj martese dhe se ai është mundur ta socializojë dhe përkrah atë për të gjetur një vend pune.

“Ajo ka qenë gruaja ime dhe nuk kam dëshirë ta akuzojë, kemi pas raporte shumë të mira në fillim të martesës.

Ish-gruaja ka qenë shtetase e Singaporit, jemi njohur gjatë studimeve të mija atje, prindërit e saj në fillim kanë qenë kundër kësaj martese, por asgjë s’është bërë me dhunë.

Më pas kur jemi vendos në Zvicër, kemi pas raporte shumë të mira edhe me organet e shtetit, ajo e ka pas problem për shkak të mbulesës që s’ka mundur të gjejë punë dhe jam munduar me ngrit zërin si imam, që femrat muslimane me shami, nuk duhet të punojnë vetëm si pastruese, por edhe në vendet që kanë integritet, pasi ajo ka pas të përfunduar ekonomikun”, ka thënë imami.

Ai ka thënë se nuk është dëbuar nga Zvicra ashtu siç kanë shkruar mediat atje dhe se është duke ushtruar punën e tij.

“Unë ende nuk jam dëbuar, jam në vendin e punës në Zvicër. Mediat të cilat i kanë bartur ato akuza që ende nuk kanë bazë, avokati ka bërë padi dhe sot do ta dorëzojmë padinë. Pa telefonu personin të barten informatat nga portalet sepse janë të kundërligjshme, ajo që ka ndodhë është se këtu Gjykata Federale e Zvicrës ka nxjerrë një vendim, që imami duhet ta lëshojë Zvicrën, për shkak të akuzave që ka dhunu gruan apo keqpërdor në aspektin seksual dhe në aspektin fizik. Kjo s’përkon me realitetin sepse nuk ka dëshmi, po nëse do të kishte dëshmi, një person do ta vuante dënimin 5 vite në Zvicër. Akuzat kanë ardhë në momentin kur gruaja ka dalë me dëshirë nga shtëpia në vitin 2015 në dhjetor, dhe ato janë shujt se s’ka fakte, më pas kur kam kërku të më vazhdohet viza të njëjtat akuza janë ripërsërit, por që nuk ka dëshmi.

Unë nuk kam ba diçka ndaj ish-gruas, edhe pse s’ka dëshmi i kanë besu vetëm asaj. Kam vendosur këtë ta qoj më larg deri në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.

Dragusha ka thënë se ka pasur raporte shumë të mira si me zviceranët edhe shqiptarët, madje xhamia ka luajtur një rol shumë të madh në Zvicër, veçmas për shqiptarët ku kanë organizuar edhe aktivitete të ndryshme përveç fetare edhe kombëtare.

“Ajo që ajo më brengos është pse të mirret shteti me një divorc e që secila grua që s’i ec martesa mundohet me tregu xhelozinë e saj, pastaj kur e kam martuar gruan e dytë, kam e- maila që ka thënë se ajo do të më shkatërrojë”.

Sa i përket akuzave që i janë bërë, imami shton se po duan t’ia prishin imazhin. Ndërsa shton se pavarësisht se ish-bashkëshortja e ka dëmtuar, dëshiron t’ia falë. Por, nëse do të dënohej, ai thotë se do të donte ta vuante burgun në Zvicër e jo ta kthenin në Kosovë.