E dyshimtë: Kompania partnere e babait të kryetares së Bordit këshilloi Telekomin për kontratën me Z-Mobile

Kryesindikalisti Balaj iu thoshte pardje punëtorëve të “Telekomit të Kosovës” se po protestonin kundër krimit. Por, Balaj iu mbante fshehur punëtorëve një sekret të madh.  Kompania private që ishte angazhuar nga Telekomi për të vendosur pro apo kundër marrëveshjës me “Z-Mobile”, është e ndërlidhur me kryetaren e bordit të Telekomit të Kosovës.

E dyshimtë: Kompania partnere e babait të kryetares së Bordit këshilloi Telekomin për kontratën me Z-Mobile

Sindikata e punëtorëve të Telekomit të Kosovës pardje bëri një show para zyrës qëndrore të kësaj ndërmarrje publike. Një numër i madh i punëtorëve janë keqpërdorur dje nga kryetari i sindikatës Lamih Balaj, i cili jo rrallëherë është shndërruar publikisht në figurë qesharake duke dëshmuar mungesë dije për funksionimin e telekomunikacionit.

Balaj kumtoi dje para punëtorëve se Bordi Drejtues i ndërmarrjes ka vendosur që të mos vazhdohet kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

“Bashkarisht po fuqizohet lufta kunder krimit dhe korrupsionit. Urime te gjithve, vazhdojm tutje”, shkroi dje Balaj në Facebook një status me gabime gjuhësore.

Gjatë protestës udhëheqësit e saj përmenden se bordi i ndërmarrjës publike “Telekomi i Kosovës”, janë rekomanduar nga një kompani e specializuar që të mos vazhdohej kontrata me kompaninë “Z-Mobile”.

Por, derisa Balaj këtë protestë e quante si “fitore kundër krimit” në prapaskenë ndodhte diçka tejet e dyshimtë. Diçka që e komprimiton tërë fjalimin anti krim të Balajt.

Insajderi ka zbuluar se “Telekomi i Kosovës”, ka lidhur marrëveshje me një kompani auditimi, e cila ka marrë obligime për të rekomanduar vazhdimin apo mos vazhdimin e kontratës me “Z-Mobile”.

Është paguar dhjetëra mijëra euro kompania “Mazars”, nga Shqipëria për të kryer këtë punë.

Kjo kompani ka qenë partnere në projekte auditimi me kompaninë “Audit Conte”, që është në pronësi të Ymer Shatrit, babait të Besa Shatri-Berishës, kryetares së bordit të Telekomit të Kosovës.

Shatri Berisha është bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berishës. Faktet publike tregojnë se kryesindikalisti Balaj është mik i deputetit Berisha.

Megjithatë, burimet brenda ndërmarrjes publike dëshmojnë se ai është thjesht një vegël e deputetit të AAK-së brenda “Telekomit të Kosovës”.

Insajderi i ka dërguar pyetje ndërmarrjes publike lidhur me angazhimin e kësaj kompanie.

“Telekomi i Kosovës”, ende nuk ka kthyer përgjigje se pse pikërisht kjo kompani është përzgjedhur për të kryer këtë shërbim për ndërmarrjen publike.