Bardhyl Sejdiu është njëri nga 11 kandidatët në garë për Drejtor Ekzekutiv të Telekomit. Ai është djali i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Por cila është e kaluara e tij?
Me 27 gusht të vitit 2013, Bardhyli, ishte përfshirë në një përleshje me armë zjarri në lagjen Taslixhe në Prishtinë. Ai, sipas policisë, ishte sulmuar me armë nga një veturë në lëvizje në të cilën ndodheshin dy persona, të cilëve u është përgjigjur me të shtëna.
Nuk kishte pasur të lënduar dhe as të arrestuar për këtë rast.
Bardhyl Sejdiu, pati thënë se nuk i njeh sulmuesit, dhe se gjatë incidentit kishte qenë me shokun e tij, Arianit Xhaka.
Bardhyl Sejdiu, punon në Postën dhe Telekomin e Kosovës. Atëkohë ai mbante pozitën e shefit të sigurimeve në PTK.
Sejdiu ka qenë i përfolur për përfshirje në biznese të ndryshme për të cilat qe raportuar se ndihmonte edhe i ati i tij.
Në qershor të vitit 2010 ish-presidenti Sejdiu, kishte vizituar Malavin. Ai ishte ndalur edhe në stoqet e çajit, biznes ky me të cilin merrej edhe Bardhyli. Sipas ueb-faqes “Africa News” të këtij shteti, presidenti i Kosovës atëherë kishte shprehur gatishmëri që të dërgonte një grup afaristësh nga Kosova në këtë vend për të blerë çaj direkt nga kompania “Steco” e Malavit.
Në grupin e biznesmenëve që merreshin me import të çajit është edhe djali i tij, Bardhyl Sejdiu, i cili është aksionar i kompanisë “Empire” së bashku me Mentor dhe Meriton Abazin.