Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, është deklaruar rreth incidentit të ndodhur të mërkurën në objektin e KQZ-së, ku ishte i përfshirë vetë ai, njofton Insajderi.com.
Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, Kurteshi tha se e ka nxjerrë jashtë një person pa maskë, i cili ishte në korridorin e KQZ-së, teksa theksoi se “nuk ka pasur as sharje, fyerje apo ndonjë sulm ndaj tij”.
“Rastësisht e kam pa një djalë pa maskë, dhe e kam pyet ku e ka maskën, edhe nuk më ka bë zë. Ai më tha as nuk kam, e as nuk e vendosi? I thashë që duhet me dal jashtë, e kam marr edhe e kam qit jashtë. Nuk ka pas as ofendime, as sharje as fyerje, kam bërtit me qëllim, me dëgju krejt, kanë qenë edhe shtatë a tetë veta. Ai ka dal jashtë”, tha Kurteshi gjatë mbledhjes së KQZ-së.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për këtë incident, ku dyshohet se një zyrtar i këtij institucioni është sulmuar për shkak të mos mbajtjes së maskës, nga anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.
Në raportin 24-orësh të policisë u tregua se ngjarja ishte raportuar rreth orës 12:20 dhe thuhet se viktima është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari, pasi nuk kishte vendosur maskë.
“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën”, thuhet në raport.
Po ashtu, lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti. /Insajderi.com