Disa nga të paraburgosurit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë infektuar me COVID-19.
Lajmin për Insajderi.com e kanë konfirmuar nga zyra për media e Speciales, megjithatë nuk kanë treguar se cilët nga të paraburgosurit janë prekur me këtë virus.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë mbi statusin Covid të individëve në ambientet e paraburgimit. Megjithatë, mund të konfirmojmë se ka disa rezultate pozitive të testeve”.
“Shërbimet mjekësore janë plotësisht të angazhuara dhe çdo person që ka rezultuar pozitiv merr shërbime të plota mjekësore duke përfshirë një oficer mjekësor, që i viziton të paktën dy herë në ditë”, thuhet në përgjigjen e Angela Griep, shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim të Speciales.
Më herët është raportuar se Rexhep Selimi e Nasim Haradinaj janë prekur me COVID-19.
Në Qendrën e Paraburgimit të Speciales në Hagë po qëndrojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selilmi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala./Insajderi.com