Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, pas vizitës së saj lamtumirëse në Tiranë, ka pranuar se ngecja e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE ndodhi edhe për shkak të politikës së brendshme të disa vendeve të Unionit, andaj thotë se e kupton zhgënjimin e vendeve të rajonit, pasi siç shprehet ajo, kur plotësohen kushtet – duhet mbajtur fjala.
“Në momentin që kushtet e vëna të plotësohen, BE duhet të mbante fjalën dhe jo të nxirrte kushte të tjetra për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara. Kjo sjell zhgënjim dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që ekziston. Në momentin që konstatohet që kushtet janë përmbushur duhet të mbahet fjala sepse përndryshe kemi zhgënjim dhe duhet të dimë t’i besojmë njëri-tjetrit”, ka thënë ajo.
Në një konferencë për shtyp bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte edhe nikoqir i vizitës së sotme, Merkel tha se procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i integrimit në Bashkimin Evropian, transmeton Insajderi.com.
Ajo përmendi radhazi për çfarë është diskutuar dhe për çfarë është vendosur që të punohet më shumë.
“Në kuadër të drekës me të gjithë kryetarët e qeverive kam pasur kënaqësinë që prej idesë së vitit 2014 pë inicimin e një procesi. Shumçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e këtyre popujve”.
“Kemi folur për nisjen e punimeve të autostradës së paqes, një temë ishte edhe që vendet e këtij rajoni do të jenë në BE do të jenë edhe vendet që duhet të vendosen përballë detyrimeve si klima. Unë përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal, me 4 marrëveshje, jo të gjithë janë duke punuar në këtë nivel. Ne kemi rënë dakord që sa më shumë ta bashkëpunojnë në këtë kontekst aq më mirë do jetë”, ka thënë ajo.
“Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim i integrimit në BE. Kemi shkallë të ndryshme. Në secilën do duhej që të ishim të involvuar, por mund të vijohet edhe bashkëpunimi rajonal. Ishte një diskutim konstruktiv. Do të vijoj bisedat bilaterale me shefat qeverisë së vendeve të rajonit”, u shpreh Merkel para gazetarëve.
Kancelarja e Gjermanisë më tej tha se procesi i bashkëpunimit në nivel rajonal është ide e pranuar nga Bashkimi Evropian dhe këndvështrimi gjerman.
“Fakti që unë jam e bindur që BE apo Gjermania ka një interes të vetin në anëtarësim të këtyre vendeve por është diçka tjetër, po themi procesi i bashkëpunimit në nivel rajonal. Një ide është pranuar nga BE apo këndvështrimi gjerman”, tha ajo duke përmbyllur fjalinë se zemra i rrah për këtë rajon edhe pse nuk do të ketë mundësi të ketë të njëjtën detyrë.
“Zemra ime rreh për këtë rajon edhe pse nuk do kem mundësi të kem të njëjtën detyrë. Ndoshta do më ngacmojë dielli që të vij në këto vende”, tha Merkel në Tiranë.
Sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur” edhe kryeministri i Shqipërisë u deklarua rreth saj, duke thënë se është pjellë e Procesit të Berlinit dhe se sipas tij nuk bie ndesh me njëra-tjetrën.
“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është as më shumë e as më pak se një mekanizëm për të përshpejtuar procesin e Berlinit”, tha Rama. /Insajderi.com