Shqipëria do të ketë një profesionist më pak në fushën e onkologjisë, ndërsa familjes do t’i mungojë një njeri i shtrenjtë.
Ka ndërruar jetë sot në një spital në Turqi shefi i Onkologjisë Prof.Dr. Agim Sallakupas një sëmundjeje të rëndë.
Ai luftonte prej vitesh me këtë sëmundje, ndërsa vetëm dy muaj më parë u rikthye në detyrë pasi u mendua se e kishte fituar luftën me këtë sëmundje.
Kush ishte Prof.Dr. Agim Sallaku
Prof.Dr. Agim Sallaku ishte prej vitesh shef i repartit të Onkologjisë në QSUT duke trajtuar mijëra të sëmurë me kancer.
Dr. Agim Sallaku, Prof.Asc., është lindur në Tiranë në vitin 1956. Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e ka ndjekur në këtë qytet ku edhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, si mjek i përgjithshëm, në vitin 1981.
Në Dhjetor të po këtij viti u emërua mjek pranë Departamentit të Radioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë. Formimin profesional e ka vijuar me ndjekjen e studimeve pas universitare duke i bashkëngjitur dhe mbrojtjen e gjuhëve të huaja sipas kërkesave të kohës.
Në vitin 1990 mori detyrën e Shefit të Departamentit të Radioterapisë dhe prej vitit 1992 e në vazhdim ka kryer një sërë kursesh specializimi në fushën e radioterapisë onkologjike në shtete të ndryshme.
Prof.Asc. Agim Sallaku mban gradën Doktor i Shkencave prej vitit 1997 dhe titullin Profesor i Asociuar (2009) dhe më pas titullin Profesor.
Kontributi i tij është i njohur në lëmin e literaturës mjekësore shqiptare si autor dhe bashkautor i shumë librave dhe teksteve mësimore në fushën e onkologjisë për studentë, postuniversitarë dhe mjekë, si dhe shumë artikujve shkencore në revista lokale dhe të huaja apo referateve në vend dhe jashtë tij.
Prof.Dr Agim Sallaku është dekoruar me Çertifikatën e Mirënjohjes nga Ministria e Shëndetësisë me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe si një ndër figurat më aktive në fushën e onkologjisë shqiptare nën mbikqyrjen e tij janë organizuar mbi 40 Konferenca Shkencore.