Ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, njoftoi të hënën se ka përfunduar misionin e tij, pas gati dy vite e gjysmë në detyrë.
Por, ai në një postim në Facebook, Abazi shprehu shqetësim për gjendjen e ambasadës, pasi sipas tij, ndonëse e ka njoftuar me kohë largimin e tij nga ambasada në Australi, askush nuk ka shkuar që ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës.
Ai ka thënë se ka kërkuar nga kabineti i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla se si të procedojë tutje, por se nuk ka marrë asnjë përgjigje.
‘’Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë, dhe me kohën e Kosovës ora është 09:00 minuta. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Duke qenë se në Ambasadë ka materiale konfidenciale, vula, materiale konsullore, aparatura, vetura me targa diplomatike etj… unë e kam bërë skenimin e gjendjes ashtu sikurse po e lë Ambasadën që ta kem si dëshmi”.
“Nga ky çast, unë nuk kam përgjegjësi për Ambasadën. E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada. Qoftë edhe për ca javë, Ambasada de facto është e mbyllur, pasi që aty është vetëm stafi teknik dhe asnjë komunikim zyrtar në emër të ambasadës nuk mund të bëhet”, shkroi Abazi.
Ai tutje tha se nuk ka më përgjegjësi institucionale për ambasadën, ndërsa tani do i kthehet profesionit të tij shkencor.
“Nuk do të heshtë, sepse këtë nuk e kam bërë nga rinia e hershme edhe kur kishte çmim të shtrenjtë ngritja e zërit, por do të bëhem krah i atyre që angazhohen për mbrojtjen e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, vlera këto të cilat po manipulohen’’, vijoi ndër të tjera ai./Insajderi.com