Kufizimi i lirisë së shtypi" />

E përbashkëta e Thaçit dhe Vuçiqit

E përbashkëta e Thaçit dhe Vuçiqit

Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq janë bërë pjesë negative e raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij” për lirinë e shtypit në botë.

Kufizimi i lirisë së shtypit, është e përbashkëta ndërmjet Thaçit e Vuçiqit.

Në raportin e kësaj organizate, politikat e presidentit Thaçi cilësohen si problematike dhe shumë shqetësuese për lirinë e shtypit në Kosovë, raporton Insajderi.

“Situata politike në Kosovë u bë gjithnjë e më e tensionuar dhe e paqëndrueshme në vitin 2018 […] Media të caktuara nuk hezitonin t’i kritikonin politikat nacionaliste të Presidentit Hashim Thaçi dhe partisë së tij, ndërsa qeveria akuzoi gazetarët kritikë se ishin ‘tradhtarë’ ose ‘simpatizantë serbë'”, thuhet ndër tjerash në raport.

Madje, në këtë raport theksohet se politikat e Thaçit për “korrigjimin e kufijëve” janë shqetësuese edhe për gazetarët serbë.

“Ndarjet etnike të Kosovës janë burim i probleme shumë shqetësuese për gazetarët që janë anëtarë të pakicës serbe”, thotë Indeksi i Lirisë së Shtypit, i cili e rendit Kosovën në vendin e 75-të në botë.

Sikur homologu i tij, presidenti sreb, Aleksandar Vuçiq, gjatë qeverisjes së tij e ka bërë Serbinë vend ku profesioni i gazetarisë nuk është i sigurt dhe as i mbështetur nga shteti.

“Brenda pesë vjetësh për sa presidenti Aleksandar Vuçiq qeveris vendin, Serbia është bërë një vend ku praktika e gazetarisë nuk është as e sigurt dhe as e mbështetur nga shteti. Numri i sulmeve në media është në rritje, duke përfshirë kërcënimet me vdekje, dhe retorika nxitëse që synon gazetarët po vjen gjithnjë e më shumë nga zyrtarët qeveritarë. Shumë përpjekje për ta dëmtuar integritetin e gazetarëve nuk janë hetuar, zgjidhur ose ndëshkuar”, thotë raporti.

Indeksi i “Reporterët pa Kufij” vë në dukje fushatat e presidentit të Serbisë përmes mediave të orkestruara nga ai, ndaj gazetarëve hulumtues.

“Fushatat agresive të mediave proqeveritare që orkestrohen kundër gazetarëve hulumtues janë në lëvizje të plotë. Disa gazetarë të guximshëm vazhdojnë të mbulojnë tema të rrezikshme si krimi dhe korrupsioni, por për shkak të përqendrimit të pronësisë së medias, historitë e tyre zakonisht janë me një hapësirë të kufizuar. Bashkëpunimi midis politikanëve dhe mediave, lajmeve të rreme të toleruara nga qeveria dhe mungesës së pluralizmit në mediat e shkruara dhe vizive janë gjithashtu të gjitha burime të një shqetësimi të madh”, thotë Indeksi i “Reporterët pa Kufij” për lirinë e shtypit në Serbi.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi ka pozitën më të keqe në renditjen për lirinë e shtypit, pasi organizata e ka renditur në vendin e 104. Vendet tjera të rajonit kanë këtë renditje: Bosnje e Hercegovina në vendin e 63-të, Kroacia në të 64-tin, Serbia në vend të 90-të dhe Shqipëria në vendin e 82-të.

Listës së 180 vendeve i prinë Norvegjia ndërkaq i fundit në listë është Turkmenistani.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019, i përpiluar nga “Reporterët pa Kufij” (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit, numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media. /Insajderi.com