
Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë po kontestohen në të dyja shtetet për udhëheqjen e dialogut. Opozitat e të dyjave vendeve po i cilësojnë Thaçin e Vuçiqin si persona jounifikues për të udhëhequr me negociatat.
Përderisa Thaçi po merr përkrahje nga kryeministri Haradinaj në Kosovë, një gjë të tillë po e bën edhe kryeministrja serbe për Vuçiqin në Serbi.
Ana Bërnabiq gjatë një Samiti në Sofje deklaroi se procesi i dialogut deri më tani ka qenë tërësisht transparent.
Ajo vlerëson Vuçiqin si një njeri të guximshëm, dhe ideal për të vazhduar bisedimet.
“Dialogu është tërësisht transparent. Ne do ta mbajmë presidenti në këtë dialog sepse ai ka marrë guximin ta drejtojë këtë proces të rëndësishëm dhe tregoi gjithashtu synimet e veta që të mos e lë një konflikt për brazat e tjerë”, tha kryeministrja e Serbisë.
Duke folur për mundësinë që qeveria të hartojë një platformë për Kuvendin, ashtu siç ndodhi në Kosovë, Bërnabqi deklaroi se nuk është e nevojshme një gjë e tillë.
“Nuk kemi parë ndonjë nevojë që të bëjmë raport të veçantë. Ne jemi si ekip, dhe i takon përgjegjësia më e madhe presidentit”, tha Ana Bërnabiq.
Ndryshe, platformën e qeverisë së Kosovës për dialogun ende nuk e ka miratuar Parlamenti.
Kjo pasi partitë opozitare po kundërshtojnë ashpër udhëheqjen e negociatave nga Hashim Thaçi. /Lajmi.net/