E rikonfirmon deputetja e PDK-së: Nuk qëndrojmë në sallë kur votohet presidenti

E rikonfirmon deputetja e PDK-së: Nuk qëndrojmë në sallë kur votohet presidenti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka rikonfirmuar se PDK-ja nuk do të qëndrojë në sallën e Kuvendit për votimin e presidentit të shtetit, njofton Insajderi.

Ajo ka thënë se kështu ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm.

“Sqarim: Sa i përket vendimit për votimin e presidentit, PDK nuk qëndron në sallë kur votohet presidenti, ashtu siç ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm”, ka shkruar Musliu-Shoshi në profilin e saj në Facebook.

Qëndrim të njëjtë më PDK-në lidhur me këtë çështje ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Lideri i saj, Ramush Haradinaj, të mërkurën para gazetarëve, ka thëën se subjekti në të cilin ai udhëheq nuk ka ndryshuar qëndrim.

Ndryshe nga PDK e AAK, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë ka njoftuar se deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancë për votimin e presidentit.

Osmani është kandidatja e vetme për presidente të vendit. Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.

Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm./Insajderi.com