Qëllimi amerikan

E thotë ambasadori amerikan – qëllimi final i bisedimeve është njohja reciproke

Fjalëpakë dhe jo shumë i elaborueshëm, ambasadori amerikan megjithatë e ka pranuar se qëllimi final i bisedimeve të lehtësuar nga Amerika, mes Kosovës e Serbisë, është njohja.

E thotë ambasadori amerikan – qëllimi final i bisedimeve është njohja reciproke

Është diskutuar shumë se cilat do të jenë temat e takimit të 27 qershorit në Uashington dhe përfaqësuesit e Kosovës thoshin diçka tjetër e ata të Serbisë diçka tjetër.

Por – edhe pse me shumë pak fjalë – ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e ka sqaruar se cili është qëllimi final i takimit dhe bisedimeve.

I pyetur se a është njohja reciproke temë e bisedimeve, ai, duket dashur të mos japë shumë detaje, i është përgjigjur pyetjes duke thënë se “ky është qëllimi jonë (njohja)”, duke mos u zgjatur më shumë.

“Për të tjera detaje nuk flas”, ka thënë Kosnett.

Por, ai ka potencuar se do të fillohet me tema kryesisht ekonomike për t’ua lehtësuar qytetarëve të të dyjave vendeve jetesën, ndërsa çështjet politike “do t’ua lëmë miqve tonë evropianë”.

“Nuk mund të jap më shumë detaje duhet të presim dhe të shohim”, ka përfunduar Kosnett./Insajderi.com