E treta e vërteta – Beteja e VV-së për hetim ndaj SHIK-ut në pikën zero

Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar për herë të parë tentimin për formimin e Komisionit Hetimor ndaj SHIK-ut. Dy herët e para ata nuk kishin arritur për ta formuar një komision të tillë, për shkak të mos sigurimit të 40 nënshkrimeve të deputetëve, aq sa është e nevojshme për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar. VV tashmë kanë filluar për herën e tretë ta mundësojnë formimin e një Komisioni që do e hetonte organizatën që e kishte udhëhequr Kadri Veseli. 31 nënshkrime janë siguruar deri tani, e po nevojiten edhe 9 sosh. Vetëvendosje po e kritikon LDK-në që nuk po i jep nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut. Por, të kontaktuar për Insajderi, deputetët e AAK-së, janë shprehur të gatshëm që ta mbështesin iniciativën për hetimin e Shërbimit Informativ të Kosovës

E treta e vërteta – Beteja e VV-së për hetim ndaj SHIK-ut në pikën zero

Për herë të tretë Lëvizja Vetëvendosje po kërkon nënshkrimet e deputetëve për ta formuar Komisionin Hetimor ndaj SHIK-ut. Dy herët e para nuk kishin mundur ta nisin krijimin e një Komisioni të tillë, për shkak të mos sigurimit të 40 nënshkrimeve të deputetëve, sa janë të nevojshme për ta formuar një komisioni hetimor parlamentar.

Tashmë, partia e Albin Kurtit, i posedon 31 nënshkrime të deputetëve në këtë legjislaturë, 9 më pak sa është e nevojshme.

Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes, po e kritikon Lidhjen Demokratike të Kosovës, që nuk po e mbështesin iniciativën e tyre, anipse sipas Haxhiut kjo parti gjithmonë “ka akuzuar SHIK-un edhe për vrasjet e pasluftës dhe gjuha e tyre ndaj tyre është e ashpër vetëm gjatë fushatave zgjedhore”.

“Siç e kemi bërë të ditur, grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e Komisionit për hetimin e SHIK-ut. I kemi mbledhur 31 nënshkrime, na duhen edhe nëntë nënshkrime të deputetëve. Në emër të grupit, i kam shkruar shefit të grupit parlamentar të LDK’së. I kam kërkuar të njëjtit mbështetje për këtë iniciativë por që ende nuk kam marr asnjë përgjigje nga ai. Për ne është e papranueshme qasja dhe hipokrizia e vazhdueshme e LDK-së, në këtë rast edhe sa i përket SHIK-ut! Në njërën anë, çdo ditë akuzojnë SHIK-un për veprime kriminale dhe në anën tjetër NUK e kanë guximin të ndërrmarin asnjë veprim, madje në mandatin e kaluar deputetët e LDK-së kishin votuar Kadri Veselin për kryetar Kuvendi”, ka shkruar Haxhiu.

Edhe pse LDK, ende nuk ka kthyer përgjigje zyrtare për iniciativën e deputetëve të Vetëvendosjes, disa deputetë të kësaj partie në legjislaturën e kaluar kishin dhënë nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut.

Madje, këto nënshkrime ata i kishin dhënë në kohën kur PDK dhe LDK qeverisnin me vendin, e kryetari i LDK-së, mbante postin e Kryeministrit.

Doruntinë Maloku, Armend Zemaj, Vjosa Osmani, Arben Gashi dhe Adem Salihaj, kishin qenë pesë (5) deputetët e LDK-së, që nuk i ishin bindur urdhërave të kryesisë së kësaj partie, dhe kishin vendosur që të bashkoheshin në iniciativën për hetimin e SHIK-ut.

Armend Zemaj, deputet nga LDK, ka thënë për Insajderi, se në këtë legjislaturë, vendimi i LDK-së, është që të gjitha vendimet të merren në Grup Parlamentar, dhe kërkoi që për këtë temë të pyetet shefi i GP-së, Avdullah Hoti.

“Për këtë temë, pyetne Avdullah Hotin. Kemi marrë vendim që cdo vendim të jetë në bazë të pajtueshmërisë në Grupin Parlamentar të LDK-së”, ka thënë Zemaj për Insajderi.

Por, Avdullah Hoti, nuk është përgjigjur telefonatave të redaksisë.

Në kohën sa ishte në opozitë, edhe kryeministri i tanishëm Ramush Haradinaj, së bashku me deputetët e partisë së tij, kishin përkrahur formimin e Komisionit Hetimor ndaj SHIK-ut.

Tani, edhe kur Haradinaj është në koalicion me PDK-në dhe ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli, deputetët e kësaj partie janë të gatshëm prapë ta nënshkruajnë formimin e këtij Komisioni.

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së, ka thënë për Insajderi, se do ta bëjnë të njëjtën gjë si e kanë bërë në mandatin e kaluar. Madje, për të hetimi i SHIK-ut është shumë i mirë.

“Po prapë do ta nënshkruaj. Nuk ka kuptim që nëse e kemi nënshkruar sa ishim në opozitë, mos ta bëjmë tani kur jemi në koalicion me ta. Por, unë dhe asnjë deputetë i AAK-së, ende nuk kemi marrur ndonjë kërkesë zyrtare nga Vetëvendosje. Hetimi i SHIK-ut dhe çdo gjëje që ka dyshime në të është shumë i mirë. Mendoj që do të ndaleshin dyshimet dhe deklarimet që janë thënë tash e një kohë për këtë organizatë”, ka thënë Haxhiu.

Në mandatin e kaluar 11 deputetët e AAK-së, përfshirë edhe Ramush Haradinajt kishin nënshkruar kërkesën për formimin e Komisionit Hetimor për SHIK-un

 

Ndryshe, nga Haxhiu po shprehet Haxhi Shala, deputet nga NISMA Socialdemokrate, i cili në mandatin e kaluar kishte vënë firmën e tij për hetim të SHIK-ut.

Ai për Insajderi ka thënë se në momentin kur do e pranojnë një kërkesë të tillë, do e shqyrtojnë dhe do të marrin vendim.

“Asnjë kërkesë ne si Nismë nuk kemi marrur. Këto janë vetëm fjalë nëpër media, se nuk ka pasur asnjë iniciativë. Çështje si këto ne konsultohemi si parti dhe pastaj e marrim qëndrimin. Tash për tash nuk kemi asnjë kërkesë dhe rrjedhimisht asnjë qëndrim”, ka thënë Shala.

Edhe deputetët e Nisma-s kishin qenë nënshkrues të formimit të Komisionit Hetimor

Zafir Berisha, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Valdete Bajrami, Haxhi Shala dhe Shyqiri Bytyqi, kishin qenë gjashtë deputetët e Nismës nënshkrues për formim të Komisionit

Por, për i hapur për mundësinë e nënshkrimit të Komisionit Hetimor për SHIK-un, është shprehur edhe deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri. Përkundër që ai i ka thënë Insajderit, se për të “SHIK-u nuk ka bërë krime”, por siguron që nëse pjesa më e madhe e deputetëve kërkon hetimin e kësaj organizate, edhe ai do të jetë në mbështetje të tyre.

“Unë nuk mendoj që SHIK-u ka bërë krime në Kosovë, ose që ka punuar kundër Kosovës. Vendimi im për nënshkrimin apo jo të iniciativës për formimin e Komisionit Hetues do të merret pas konsultimeve me bashkpartiakët e mi. Por, them që nëse shumica e deputetëve janë pro formimit të këtij Komisioni, atëherë edhe unë do e bëj një gjë të tillë“, ka thënë Tahiri.raporton Insajderi.com

Nëse Lidhja Demokratike nuk vendos për dhënien e nënshkrimeve për formimin e këtij Komisioni, atëherë Vetëvendosje, mund ta bëjë këtë edhe me votat e deputetëve të AAK-së, Nismës Socialdemokrate dhe AKR-së./Insajderi.com