E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt

E treta e vërteta: Jepet tenderi 10 milionësh për Spitalin e Ferizajt

Pas më shumë se dy vitesh ngecje në procedurat e tenderimit, Ferizaj duket se më në fund do të bëhet me objektin e Spitalit të ri Regjional.

Por për ta përdorur atë, nëse gjithçka shkon në rregull, ferizajasit duhet të presin edhe tre vite, raporton Insajderi.

Të hënën Ministria e Shëndetësisë ka publikuar njoftimin për dhënien e kontratës për ndërtimin e Spitalit regjional në Ferizaj.

Ndërtimi i tij do të jetë një investim tre vjeçar dhe do të ketë fiks 250 shtretër, raporton Insajderi.

Vlera e parashikuar për këtë projekt ishte afro 12 milionë euro, por Ministria e Shëndetësisë ia ka dhënë kompanisë “Arbëria Com” dhe do të kushtoj 2 milionë më pak sesa vlera e parashikuar e kontratës

Fiks 10 milionë e 235 ijë e 587 euro është vlera e kontratës që “Arbëria Com” e ka fituar me Ministrinë e Shëndetësisë.

Insajderi ka kontaktuar kompaninë për të marrë vesh nëse ata janë informuar. Kompania e ka konfirmuar se ka fituar tenderin.

“Por duhet të presim ende për ankesat dhe të tjera procedura”, ka thënë një drejtues i kompanisë.

Tenderi për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj ka një histori të gjatë të anulimit dhe ritenderimit.

Tenderi i parë ishte hapur me 14 qershor të vitit 2016 ndërsa dy muaj pas ishin publikuar informatat shtesë për këtë tender. Tenderi i parë ishte dhënë në nëntor të vitit 2016 për tu anuluar në shkurt të vitit 2017.

Sipas kontratës së publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 16 nëntor 2016, punimet për ndërtimin e këtij spitali parashihej t’i bënte kompania “AL-TRADE”. Por nuk kishte shkuar shumë kohë si dhe tenderi ishte anuluar.

Agjencia Kundër Korrupsionit kohë më parë i kishte bërë dy opinione negative për procedurat e prokurimit të ndjekura nga Spitali Regjional i Ferizajt, ku flitej për anën e “errët” të procedurave tenderuese nga ky autoritet kontraktues.

Tenderi i dytë ishte shpallur në mars të këtij viti por ishte anuluar me 18 korrik.

Objekti i Spitalit Regjional të Ferizajt, do të ndërtohet afër Parkut të Lirisë, lokacion ky i caktuar nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt. Aty do të jetë edhe kompleksi spitalit, për të cilin është ndarë një sipërfaqe prej 8.5 hektarësh.

Komuna e Ferizajt do të investoj rreth 1 milion euro, në sigurimin e energjisë elektrike, rrugës e kanalizimit./Insajderi.com