E vërteta e takimit me Limajn

E vërteta e takimit me Limajn

Fatmir Limaj ka aluduar në mua dje kur gjatë intervistës tek kolegu Fidan Rama ka folur për takimin me gazetarin, autor i shkrimit të parë kundër tij në rastin MTPT.

Limaj ka kërkuar që nëse i kujtohet gazetarit, të tregojë se çfarë është folur në takimin mes tij dhe gazetarit në ditën kur kishte dalë artikulli.

Natyrisht se më kujtohet secili detaj i atij takimi. Ishte dita kur në ballinën e gazetës Koha Ditore, ku punoja, u publikua shkrimi “Ministri nën hetime – ndërkombëtarët kërkojnë shkarkimin”. Unë isha autori.

Kishim informacione se ish-shefi i ICO-s, Pieter Feith, i kishte kërkuar Thaçit largimin e Limajt, pasi Thaçit i ishte dorëzuar një dosje me sms që e infiltronin Limajn dhe kabinetin e tij në kurdisje të tenderëve.

Ironia është se ajo dosje ka mbetur dëshmia më e madhe dhe e vetme e prokurorisë pas shtatë vjet hetimi. Ekspertiza ka konstatuar se sms-të ishin manipuluar. 7 vjet hetime për disa sms të manipuluar në disa faqe A4.

Shuma e përgjithshme e tenderëve që ishin kurdisur sipas hetuesve ishte 80 milionë euro. Në fakt, 80 milionë euro ishte shuma e gjithë tenderëve që po hetoheshin nga EULEX, por natyrisht se nuk dyshohej se ishin vjedhur aq. Unë në asnjë shkrim asnjëhere nuk kam pretenduar se ka informata se janë vjedhur 80 milionë euro. Njerëz të tjerë pastaj, e edhe media që pretendonin se po e mbronin Limajn ia intepretuan të 80 milionë eurot si para që i kishte përvetësuar. Sidoqoftë kjo tash ka pak rëndësi. Ajo çfarë dua të them është se takimi me Limajn ishte me emocione të përziera.

Qeveria Thaçi 1 pos shpalljes së pavarësisë po bënte diçka që nuk e kishin bërë qeveritë paraprake LDK-AAK. Derisa po e degradonte legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit, ishte fakt se në terren ajo po punonte.

I kishte nxjerrë bagerat në rrugë dhe e kishte dërguar asfaltin në lagje e fshatra që as e kishin ëndërruar një gjë të tillë. Në krye të kësaj pune ishte Limaj. Në fakt, ai shtroi aq shumë asfalt dhe e bëri ëndërr të realizueshme atë, saqë ende te ne shteti përjetohet si asfalt. Edhe tek Zyra e Ankesave në mëngjes, kërkesa më e shpeshtë është për asfalt.

Nuk ndjehesha mirë që ky artikull do ta rrënonte ministrin e asfaltit ose Çelikun, komandantin e afërt dhe shumë të njohur për ne që jemi nga ana e Prizrenit. Por unë i kisha faktet (sms-të) dhe e dija ngjarjen që intimisht ma kishte rrëfyer edhe vetë Pieter Feith.

Derisa e prita të jetë nervoz, në fakt Limaj ishte tepër i qetë. As edhe një përpjekje nuk bëri që të kuptojë burimet e mia. Krejt çfarë më pyeti ishte nëse dua t’i them apo tregoj diçka më shumë sesa ajo që kishte dalë në gazetë. I thash që kam shumë për të shkruar, sepse situata është e rëndë, sepse nuk ka prokuror në EULEX që nuk po flet për të. Më pati thënë tekstualisht:

“Kqyre Ben, ke me shkru shumë. Ke me ni shumë. Se di a shkojnë dy a tri a dhjetë vjet, ama të jesh i bindur se ka me ardh dita kur unë e ti kemi me pi kafe. Kemi mu kqyrë në sy edhe ke me e kuptu që krejt kjo asht e montume”.

Shtatë vjet pas, unë nuk kam çka të shtoj, pos ta ftoj Fatmirin në kafe. Normal që paguan ai.

Limaj: I kam thënë një gazetari para 8 viteve se akuza ime ësh…

Limaj: I kam thënë një gazetari para 8 viteve se akuza ime është montazhëPër cilin gazetar e ka fjalën Fatmir Limaj?

Posted by RTV Dukagjini on Thursday, 30 November 2017