Edhe 150 refugjatë afganë arrijnë në Shqipëri

Edhe 150 refugjatë afganë arrijnë në Shqipëri

Grupi i radhës me 150 afganë ka arritur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Shqipëri. 103 janë akomoduar në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteljere në Durrës.

Me avionin e fundit të ardhur nga Abu Dabi, i cili u ul në pistën e aeroportit të Rinasit rreth orës 5 të mëngjesit, numri i qytetarëve afganë të ardhur në Shqipëri ka mbërritur në 607.

Një ditë më parë, në Shqipëri kanë arritur dy avione me afganë. Njëri mbante 154 pasagjerë në bord, 108 prej të cilëve u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Ndërsa tjetri ka arritur nga Afganistani, me 28 persona në bord, të cilët u vendosen në Tiranë.

Pritet që numri i afganëve që do të strehohen në Shqipëri të shkojë në 4000 persona.

Përveç Shqipërisë, edhe Kosova ka pranuar të strehojë përkohësisht afganët. Të dielën në aeroportin e Prishtinës ka arritur avioni i parë me 111 refugjatë afganë, të cilët do të vendosen në Kampin e Bechtel & Enkas në Ferizaj. Ndërsa, grupi i dytë me refugjatë afganë pritet të arrijë sot, e hënë. Por, koha e saktë nuk dihet ende./Insajderi.com