Edhe 58 vendvotimeve mund të rinumërohen, KQZ sot pritet të marrë vendim

Edhe 58 vendvotimeve mund të rinumërohen, KQZ sot pritet të marrë vendim

Komisioni Qendror Zgjedhor pritet që në mbledhjen e së enjtes të marrë vendim për t’i rinumëruar 58 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Insajderi-n ka bërë të ditur arsyen e këtij rekomandimi nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Deri te ky rekomandim është ardhur pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime tek të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët ndërsa subjektit ka të tilla në formularë të rezultateve”, ka thënë Elezi.

Ai tutje ka njoftuar se po punohet maksimalisht që në fillim të javës KQZ-ja të mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Nëse KQZ-ja sot vendos për të dërguar në rinumërim edhe 58 vendvotime, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që do të rinumërohen do të shkojë në 564 sosh.

KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës sot në ora 13:00./Insajderi.com