Edhe dy raste të rënda nga fruthi në QKUK

Edhe dy raste të rënda nga fruthi në QKUK

Vdekja e foshnjës 15 muajshe në Qendrën  Klinike  Universitare të Kosovës si pasojë e prekjes me sëmundjen e fruthit ka shkaktuar frikë e panik në mesin e opinionit të gjerë. Siç shpjegojnë ata që merren me trajtimin e kësaj sëmundje, situata në vend është alarmante dhe se rastet e të prekurve nga fruthi në Kosovë që nga qershori i këtij viti kanë kaluar shifrën e 100 personave.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK Hamdi Ramadani për Gazetën Monitor pasi që ka konfirmuar vdekjen e foshnjës 15 muajshe ka thënë se të gjithë të prekurit deri më tani nga fruthi janë fëmijët që nuk i janë nënshtruar procesit të imunizimit me kohë.

Ramadani tregon edhe shifrat e pacientëve  të cilat aktualisht janë duke u trajtuar  në QKUK.

“Tash e një  kohë ballafaqohemi me sëmundjen epidemike të fruthit dhe që na 24 qershori e deri më sot ne kemi pranuar një numër të madh të këtyre rasteve. Deri më sot janë mbi 100 raste të shtrira ose të hospitalizuara me sëmundjen e fruthit në  Kliniken Infektive. Pra numri enormë i tyre janë raste të rënda me ndërlikime qoftë në zemër ose në organet respirative dhe nga ky numër i madh i rasteve deri më tash kemi mjekuar dhe jemi duke i trajtuar 28 pacient në klinik.”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se në Kliniken Infektive janë dy raste të rënda një foshnjat 4 muajshe dhe një e moshës 15 muajshe, ndërsa 2-3 raste të moshës së rritur që kanë ndërlikime në organet respiratore dhe që kanë  edhe sëmundje të mëhershme nga bronkiti.

Ramadani ka rrëfyer gjendjen e foshnjës së vdekur dhe të familjes së saj kur ishte pranuar në QKUK, duke shtuar se foshnja në shtëpi kishte qëndruar e sëmurë katër ditë.

“Sot në orët e mëngjesit një familje nga Fushë Kosova me 5 anëtar që janë pranuar ditën e hënë, ka përfunduar me vdekje një fëmijë i moshës 15 muajsh që ka qenë i sëmurë 4 ditë në shtëpi, i cili nuk ishte i përfshirë në vaksinim dhe gjendja e tërë familjes ka qenë e rënduar, kurse fëmija përkundër kujdesit ka përfunduar fatalisht, ndërsa të tjerët anëtar të familjes janë duke u trajtuar”, ka theksuar Ramadani.

Ai ka thënë se vaksinimi është i obliguar dhe në bazë të kalendarit të imunizimit duhet të kryet tek çdo fëmijë.

Ndërsa simptomat e fruthit siç ka thënë Ramadani janë sikurse të gripit, andaj duhet të kenë kujdes të shtuar prindërit.

“Simptomat janë krejt sikurse të gripit, paraqitet temperaturë e madhe, sekret nga hunda, sytë të përlotur dhe të skuqur dhe menjëherë në ditën e tretë dhe të katërt shfaqen disa njolla në fytyrë, në kokë pas veshëve dhe zbret poshtë dhe kanë kollitje. E në forma më të ndërlikuara kanë pengesa edhe në frymëmarrje:, ka nënvizuar Ramadani.