
Ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ka reaguar ndaj përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, lidhur me deklaratat e këtij të fundit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit për kontrabandën e mallrave.
Borrell të mërkurën i quajti veprimet e PK-së “të pakontrolluara dhe të njëanshme”, duke thënë se “mund ta rrezikojnë stabilitetin në rajon”.
Lidhur me këto deklarata ka reaguar Vlahoviq, sipas të cilit BE-ja po bazohet në paragjykime dhe dezinformata lidhur me ngjarjet në Veri të Kosovës.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell
“Duke lexuar këtë tweet dhe komentet, nuk mund t’i shmangem përshtypjes se qëndrimi i BE-së bazohet në paragjykime dhe informata të gabuara – dhe jo në raporte të sakta lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës. (Reagimet e NATO-s janë shumë ndryshe)”.
“Kjo nuk është mirë për BE-në, edhe më keq për Ballkanin”, ka shkruar në Twitter Vlahoviq, i cili ka shërbyer edhe si ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vatikan.
Reagimi i Borrellit ndaj aksionit të Policisë së Kosovës për kontrabandë në veri ka ngjallur reagime të shumta.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i ka sugjeruar që t’i kritikojë ato vende të cilat nuk implementojnë sundimin e ligjit.

Raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola vron Cramon.
Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
“Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Tëitter./Insajderi.com