Edhe Krasniqi i thotë PO Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Edhe Krasniqi i thotë PO Abdixhikut për shkurtimin e fushatës zgjedhore

Partia Demokratike e Kosovës e përkrah propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për shkurtimin e fushatës zgjedhore nga një muaj në 10 ditë.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se kjo çështje është diskutuar brenda Kryesisë së partisë.

Sipas tij, është e rëndësishme që më 17 tetor, kur qytetarët dalin për të votuar, të jenë të sigurt se shëndeti i tyre nuk rrezikohet.

“Fushata zgjedhore dhe shkurtimi i saj gjithsesi duhet të trajtohet. Duhet të diskutojmë për tu dakorduar për një fushatë të shkurtuar. Unë besoj që të gjithë pa dallim duhet ta kemi prioritet shëndetin publik”, është shprehur i pari i PDK-së të enjten në konferencë për media.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një letër dërguar liderëve të tri partive politike më të mëdha në vend, ka bërë thirrje që të shkurtohet fushata zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë si pasojë e situatës së rëndë me pandeminë. Kësaj thirrje i është përgjigjur pozitivisht edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Veçse ky i fundit ka thënë se fushata duhet të shkurtohet në vetëm pesë ditë./Insajderi.com