Edhe një deputet i VV-së kërkon koalicion me LDK-në dhe me Kurtin kryeministër

Edhe një deputet i VV-së kërkon koalicion me LDK-në dhe me Kurtin kryeministër

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, e ka bërë të qartë edhe një herë preferencën e partisë së tij për koalicion në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Rexhaj ka shkruar në Facebook se koalicioni VV – LDK është i duhuri për Kosovën dhe se për interesin e qytetarëve për ta formuar një qeveri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet ky bashkim.

“Koalicioni VV-LDK është i duhuri për vendin. Arroganca kundër këtij koalicioni nuk sjell asgjë të mirë për Kosovën. Për të shtyer çështje me interes për qytetarët, dhe për ta formuar një qeveri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar institucional na duhet ky bashkim”, ka shkruar Rexhaj.

Ai gjithashtu ka thënë se në rast të ndonjë bllokade, kjo nënkupton se partneri nuk e ka qëllim Kosovën por rehatinë partiake.

“Nëse nuk bëhet dhe ka bllokada, kjo nënkupton se partneri nuk e ka qëllim Kosovën por rehatinë partiake. Fundja le t’u tregojnë vet qytetarëve përse mbyllen!

Në këtë formë ne kemi treguar se mund të hapemi për të mirën e vendit, ata që mbyllen mbase kanë frikë nga e kaluara e tyre qeverisëse!”.

Tutje Rexhaj e ka përsërit edhe një herë dëshirën e Lëvizjes Vetëvendosje që qeverin e ardhshme  ta udhëheqë Albin Kurti.

“Na duhet Lëvizja VETËVENDOSJE!, na duhet bashkimi, na duhet Albini kryeministër, rrugë tjetër nuk ka!”, ka shkruar Rexhaj, /Insajderi.com