Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Mehmeti, ka shpallur të shtunën kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Drenasit, njofton Insajderi.
“Në bazë të përvojës dhe performancës të krijuar për 22 vite në Partinë Demokratike të Kosovës, që nga themelimi i saj, në bazë të mbështetjes së përhershme të anëtarësisë së gjerë të PDK-së dhe qytetarëve të Drenasit në proceset zgjedhore për asamble komunale, si dhe i motivuar për qeverisje të drejtë dhe të mirë, me zotimin për shërbim të sinqertë ndaj gjithë qytetarëve tanë, kam vendosur të jam kandidat potencial për Kryetar të Komunës së Drenasit, në zgjedhjet e sivjetme të tetorit 2021”, ka shkruar Mehmeti në Facebook.
Ndërkaq, ditë më parë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kandidimi i Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit nga kjo parti në zgjedhjet lokale është punë e kryer.
Deklarata e Hoxhajt kishte ardhur pasi strukturat e Degës së partisë në Drenas kishin vendosur që Driton Ajazi të jetë kandidat për kryetar të Drenasit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë./Insajderi.com