Edhe pse me një anëtar më pak, KQZ shprehet e gatshme për zgjedhjet

Edhe pse me një anëtar më pak, KQZ shprehet e gatshme për zgjedhjet

Me votat e tyre deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë ditës së djeshme i kanë dhënë fund legjislaturës së gjashtë të Parlamentit të Kosovës.

 I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se shumë shpejt do të shpallë datën e zgjedhjeve.

Në anën tjetër në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për zgjedhjet, dhe se kanë filluar disa përgatitje rutinore të cilat i ka lejuar Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka për Kosovapress ka deklaruar se janë duke pritur datën e saktë nga Presidenti për të filluar përgatitjet intensive për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ndonëse është përfolur si datë e mundshme për ditën e zgjedhjeve 6 tetori, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor ka deklaruar se gjatë takimeve që ka pasur me presidentin, Hashim Thaçi, i ka rekomanduar disa data  për të cilat nuk pranoi të flas.

Lidhur me afatet kohore për fushatën zgjedhore Daka tha se kjo varet nga arsyeshmëria që do ofrojnë partitë politike për zgjatjen e fushatës zgjedhore, dhe më pas kjo do jetë në dorën e KQZ-së.

Edhepse në KQZ deklarojnë se janë të gatshëm për zgjedhje këtij komisioni ende po i nuk mungon edhe  një anëtar i ish koalicionit PAN.

E për këtë kryetarja e KQZ-ës, Valdete Daka tha se ajo është kompetencë e Presidentit të vendit, dhe se mungesa e një anëtari brenda KQZ nuk do jetë pengesë.

Me qëllim që i gjithë procesi zgjedhor të shkojë mirë, Daka tha se tanimë ky Komision ka bërë një plan të veprimit gjatë periudhës jashtë zgjedhore, por që kjo sipas saj varet edhe nga subjektet politike.