Edi Rama mbyll portalin e parë, pa akses brenda Shqipërisë

Edi Rama mbyll portalin e parë, pa akses brenda Shqipërisë

Pas paralajmërimeve që lëshoi në ditët e fundit, kryeministri Edi Rama e ka nisur seriozisht luftën me portalet.

Kështu, për herë të parë, në Shqipëri mbyllet faqja interaktive, JOQ, Jeta osh Qef. AKEP, i ka bllokuar domain-in JOQ, duke pamundësuar vizitimin e JOQ nga të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri. Të gjithë, ata që duan të ndjekin faqen JOQ, mund të mjaftohen me rrjetet sociale ku faqja vijon të punojë dhe nga jashtë Shqipërisë.

Lajmi jepet nga vetë JOQ, që në një postim në Instagram, stafi bënë me dije se ky është një sulm politik, pasi sipas tyre, qeveria po përpiqet t’i mbyllë gojën mediave kritike.

Dy ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi se ishin proceduar Erland Dalliun dhe Gentian Çengelin, administratorë të faqes Jeta Osht Qef pasi kanë lejuar përhapjen e panikut me lajme destabilizuese, pas tërmetit që goditi vendin. Lajmi për të cilin u proceduan administratorët e JOQ, është një fotografi e shpërndarë në Instagram, ku në inbox-in e JOQ kishte shkuar një mesazh denoncim nga qytetarët se në morgun e Tiranës, kishte dhjetra trupa të vdekur.

Reagimi i JOQ:

Teksa gjendemi përballë një katastrofe natyrore që ka lënë pasoja tragjike dhe gjithë shteti duhet të angazhohej terësisht për të hartuar një plan të menjëhershëm masash për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4, “Rilindja” gjen edhe kohë për të sulmuar mediat që i nxjerrin “të palarat” dhe skandalet.

Pasi Policia e Lleshit shpalli në kërkim administratorët e JOQ Albania, ditën e sotme Rama, në një akt diktatorial, i ka dhënë urdhër Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të mbyllin domainin “joqalbania.com” për Republikën e Shqipërisë. Pikërisht aty ku mund t’i vijë përmbysja.

Ramës dhe Rilindja që ai drejton mesa duket nuk e përtypin dot faktin se qytetarët kanë një hapësirë ku mund të nxjerrin të palarat dhe skandalet e qeverisë dhe instancave të saj, nuk e përtyp dot as faktin që jemi ndër të vetmet media në vend që nuk jemi shitur e as blerë nga sekti “Rilindja” dhe kërkon të na mbyllë gojën.
Kjo është mënyra se si qeveria tenton të vendosë diktaturën ndaj atyre që ofron t’i blejë, por nuk i shiten, tenton t’u mbyllë gojën me censurë duke mos arritur t’i kontrollojë ashtu siç ka bërë me çdo institucion të këtij shteti!

Atij s’i pëlqejnë kritikat dhe tenton të eliminojë zërin e vetëm opozitar që ka mbetur, nuk duron dot zërin e popullit të tij që i rrëfen realitetin e shëmtuar të qeverisjes së tij dhe tenton ta zhdukë.
Pa të vetmin dyshim, mund të themi se tashmë ka nisur të instalohet në vend diktatura “Rama”, ku hapat e saj të parë përfshijnë “zhdukjen” dhe “eleminimin” e atyre që ua plasin të vërtetën në sy dhe qëndrojnë në krah të qytetarëve dhe mbrojnë interesat e tyre.

Reagimi duhet të jetë i përgjithshëm, mediatik e ndërkombëtar për këtë regjim që ka instaluar Rama! Ne do luftojmë për Shqipërinë deri në pikën e fundit të gjakut…
#UNËJAMJOQ.