Gati dy muaj më parë, Petrit Selimi, ish –Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës kishte shkruar një artikull për mediat në Shqipëri, ku kishte akuzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën se kishte rënë në kurthin e kryeminsitrit serb, Alexandar Vuçiq për çështjen e autostradës që zyrtarët në Beograd e quajnë Nish -Durrës e që kalon nëpër Kosovë.
Rama këtë e ka mbajtur mend, dhe ka zgjedhur që ta sulmojë Selimin nga Serbia. Mllefin e tij, ndaj Selimit, tani koordinator në postin e Sfidave të Mijëvjecarit, Rama e ka zbrazur në Serbi.
Ai ka thënë se “nuk e njeh” anëtarin e PDK-së dhe se secili njeri ka të drejtë të jap opinionin e tij në cilëndo temë që dëshiron, shkruan Express.
Pyetje: Petrit Selimi nga Partia Demokratike ka shkruar një artikull të fundit kundër jush, ndoshta e ka shkruar me lejen e mikut tuaj, Presidentit Thaçi. Ai thotë, a mos vallë keni rënë ju në grackën e serbëve? Rruga Nish-Tiranë a është pretekst?
Kryeministri Rama: E para, nuk e njoh këtë Petrit Selimin dhe nuk çuditem fare, përkundrazi, përgëzoj çdo petrit selim që shkruan mendimin e vet, sepse jetojmë në një vend, në një hapësirë të lirë ku nuk ka censurë as nga partia, as nga Serbia. Kështu që i uroj sukses Petrit Selimit dhe gjithë petrit selimave të tjerë dhe të shkruajnë çfarë t’u vijë për mbarë. Përsa më takon, unë do vazhdoj të bëj atë që mendoj se është gjëja më e mbarë për shqiptarët e Shqipërisë dhe patjetër, kur flas për Kosovën, dhe për shqiptarët e Kosovës. Pastaj, historia do gjykojë edhe mua dhe Petrit Selimin, në qoftë se do e mbajë mend. /Insajderi.com