“Edi Rama po e dëmton Kosovën, po i ndihmon Beogradit”

“Edi Rama po e dëmton Kosovën, po i ndihmon Beogradit”

Sali Berisha, ish-kryeministër i Shqipërisë, ka komentuar mbrëmjen e sotme situatën në Kosovë, dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Berisha tha se absolutisht mbështetë dialogun, por jo takimet e fshehta dhe jo transparente.

“Beogradi duhet ta di mirë se çështjet duhet ti zgjidhë me autoritetet e Kosovës dhe nuk mund të marrë për dëshmitar të qëndrimeve të tij njeriun që ka vendosur në gjoksin e Bregoviçit, famëziut të himneve të masakrave të shqiptarëve të serbomëdhënjëve”, tha Berisha, në studion e Faxnews.

“Gjuriç duhet të ishte shkarkuar në vend dje nga presidenti Serbisë nëse ai nuk ishte futur ilegalisht në Kosovë me porosinë e Vuçiç. Ndaj asgjë s’duhet kërkuar askund tjetër veçse tek presidenca serbe. Serbia është republikë parlamentare por kryeministër që të çojë kokat aty nuk ekziston përveç Vuçiç”, është shprehur ai.

“Ndërkohë që politikisht Kosova dhe Serbia duket se kanë hyrë në një pikë të vdekur. Takimi mes Thacit dhe Vucic rezultoi një dështim i plotë. Ndërsa Marko Gjuric u akuzua të nesërmen e dështimit të këtij takimi. Si e analizoni situatën aty?”, është pyetur Berisha.

Ai ka thënë se “personalisht unë jam për dialogun por absolutisht unë nuk besoj në takimet e fshehta jo transparente”.

“Çdo takim i tillë.. të cilat ndodhin, janë një praktikë e gjerë jo vetëm shqiptare, por unë nuk besoj në to. Unë i besoj diplomacisë së hapur në të cilën qytetarët informohen për çdo hap që bëhet dhe në këtë kontekst konstatoj se vetë presidenti Vuçiç ka bërë gjithçka për forcimin e fibrës nacionaliste në Kosovë. Lista serbe, një marionetë e Vuçiçit në Kosovë nuk u shërben aspak interesave të serbëve të Kosovës por strikt interesave të Beogradit dhe Vuçiçit në Kosovë. Së dyti, qëndrimet e Ramës, e kam thënë dhe e them që jam absolutisht pro për takime bilaterale etj, por me kushtin e vetëm që Shqipëria ka zero rol në përfaqësimin e Kosovës. Kosova përfaqësohet nga autoritetet e saj sot kudo në botë, dhe aq më tepër me Beogradin kjo është dhe më e domosdoshme”, ka deklaruar Berisha.

“Pra ju geni kundër qëndrimeve paternaliste?”, është pyetur Berisha.

“Jam totalisht kundër, dhe këto qëndrime që të gjitha pa përjashtim ndihmojnë Beogradin. Këto qëndrime pjestojnë faktorin shqiptar dhe ndihmojnë Beogradin dhe janë në shumë aspekte të dëmshme dhe aspak të dobishme. Beogradi duhet ta di mirë se çështjet duhet ti zgjidhë me autoritetet e Kosovës dhe nuk mund të marrë për dëshmitar të qëndrimeve të tij njëriun që ka vendosur në gjoksin e Bregoviçit, famziut të hymneve të masakrave të shqiptarëve të serbomëdhënjëve. Gjuriç duhet të ishte shkarkuar në vend dje nga presidenti Serbisë nëse ai nuk ishte futur ilegalisht në Kosovë me porosinë e Vuçiç. Ndaj asgjë s’duhet kërkuar askund tjetër veçse tek presidenca serbe. Serbia është republikë parlamentare por kryeministër që të çojë kokat aty nuk ekziston përveç Vuçiç”, është përgjigjur ai.

I pyetur se a duhet ta votojë Parlamenti i Kosovës krijimin e asosacionit të komunave serbe, Berisha u përgjigj: “Parlamenti i Kosovës duhet të zbatojë marrëveshjet dhe Kosova duhet të zbatojë marrëveshjet e Brukselit. Me sa di unë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e bën të pajtueshëm kuadrin me Kushtetutën dhe unë mendoj që këtë vendim ata duhet të procedojnë. Pacta sun servanta, pra paktet duhet të respektohen”.

Berisha ka treguar edhe qëndrimin e tij, kur është pyetur se çfarë mendon për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi?

“Faktikisht unë jam nga ata që nuk e besojnë këtë humbje. Sepse ka një deklaratë të DASH, në të cilën thuhet se Kosova nuk humbet asnjë metër katror në kufirin që ka patur krahina autonome e Kosovës ku ajo ka qënë element konstituiv i Federatës dhe Republikës së Serbisë. Nuk besoj se DASH do të bënte 8000 hektarë dhuratë Malit të Zi në kurriz të Kosovës. Problemi qëndron se, kufijtë Shqipëria i ka në territore të veta por kjo nuk do të thotë se ne nuk do i njohim këto kufinj”.