Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje ka akuzuar opozitën se ka bërë një “propagandë të madhe” me çështjen e kultivimit të hashashit.
Duke iu referuar komunikatave të policisë kur në pushtet ishte qeveria e djathtë, Rama ka deklaruar se asgjësimi i sipërfaqeve me kanabis atëherë ishte minimal.
“Në vitin më të mirë të qeverisjes së PD u asgjësua vetëm 7 për qind e sipërfaqeve me hashash”, ka thënë Rama, duke i bërë kontrast pretendimeve të opozitës me ndërhyrjen në Lazarat.
“Lazarati ka qenë banka e madhe e parasë së zezë, të cilën ne e shkatërruam”, ka thënë ai, për të shtuar se kurrë më parë lufta kundër drogës nuk ka qenë kaq serioze. “
Ky fenomen po luftohet seriozisht që kur erdhi në pushtet kjo qeveri dhe kur u vu në detyrë ky ministër i Brendshëm”, ka thënë Rama, duke iu referuar Saimir Tahirit.
Këtyre deklaratave u është përgjigjur deputetja e PD, Jozefina Topalli, e cila ka thënë: “Zoti kryeministër, ky ishte fjalimi më qesharak i yti. Askush nuk i beson ato që the. Hashashi do të jetë njolla jote e turpit”