Edi Rama reagon për hapjen e degës së VV-së në Tiranë: E konsideroj si një lajthitje të Albin Kurtit

Edi Rama reagon për hapjen e degës së VV-së në Tiranë: E konsideroj si një lajthitje të Albin Kurtit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Top Chanel, ka folur edhe për hapjen e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, duke treguar se e konsideron si një lajthitje të Albin Kurtit, në rrugën e kapërcimit nga opozita në pushtet.

Rama ka thënë se si do të ndiheshin qytetarët e Kosovës, nëse Partia Socialiste do të organizonte një protestë në ditën e pavarësisë së Kosovës ku do të kërkonte të mos festohej, por që të reflektohej.

“Së pari qytetarët e Kosovës të përfytyrojnë që një degë e Partisë Socialiste të bëjë protestë në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe të thotë nuk është koha për të festuar por të reflektuar. Çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë. Çfarë do të ishte kjo për strategji të përbashkët për bashkëpunim”, ka thënë Rama, përcjell Gazeta Express.

Rama në këtë intervistë, gjithashtu, ka thënë se ka qenë vetë në një situatë që aktualisht është Albin Kurti, dhe thotë se kreut të VV-së i duhet ende kohë për t’u bërë kryeministër.

“Unë e konsideroj një lajthitje nga kapërcimi nga opozita në qeverisje. Nga një vakum ku kam qenë edhe vetë, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin. Sepse kryeministër zgjidhesh, por nuk bëhesh menjëherë”, ka thënë Edi Rama.

Të gjithë këto deklarata kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë i pyetur rreth paralajmërimit që dega e VV-së në Tiranë do të marshojë më 28 Nëntor.

Ndërsa ka folur edhe për përplasjet rreth nismës për minishengenin.

“E nxituar, ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësore të iniciativës përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me presidentin e Serbisë dhe ku më në fund ai është dakordësuar gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra çfarë nxitimi ka këtu. Përsa i përket konsultimit në 5 vjet rresht Kosova ka qenë e pranishme në tryezë, në 5 vjet rresht kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë jo për vete po për njerëzit tanë. Besoj që nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër ose vendos të mos vij, jo ai që do shkoj siç të gjithë kanë shkuar. Pra nëse në një moment të caktuar dikush vendos që unë nuk do shkoj atëherë merr në telefon dhe thotë unë nuk do shkoj, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse ai që thotë JO rri me JO-në, ai që thotë PO vazhdon me PO-në.” ka thënë Rama.