Edita Tahiri jep një afat tjetër se kur do të “shkrihet fusnota”

Edita Tahiri jep një afat tjetër se kur do të “shkrihet fusnota”

Ish- ministrja për dialog, Edita Tahiri bëri të ditur se fusnota do të shkrihet paralelisht me njohjen e Kosovës nga pesë vendet që nuk e kanë bërë këtë ende.

“Në moment që këto pesë vende mosnjohëse e njohin Kosovën do të shkrihet fusnota”, ka thënë ajo në emisionin “Rubikon”.

“Që nga fillimi i dialogut sot Kosova është pjesë e organizatave më të mëdha ndërkombëtare. Ju e dini që në UNESCO ka qenë punë një ose dy votash, do të bëhet edhe ajo. Fuqizimi vjen nga brenda”, ka thënë ajo.

Mirëpo këtë e hedh poshtë Liburn Aliu nga LVV. Ai thotë se pikërisht është fusnota ajo që u shndërrua në instrument të Serbisë kundër Kosovës.

Tutje Aliu i drejtohet Tahirit se pas zgjedhjeve të 11 qershorit si opozitë koalicioni PDK – AAK – Nisma do ta shikojnë se si do të ndalen proceset e dëmshme për vendin.

Tahiri për këtë i thotë Aliut se qeverisja nga LVV është vetëm ëndërr e tyre.

Ajo i thotë Aliut se duhet të fillojnë të bëjnë analiza brenda partisë që të gjejnë arsyen e qëndrimit të vazhdueshëm në opozitë.

“Këto janë ëndrrat e tyre sepse qytetarët e Kosovës nuk duan njerëz që djegin shtetin dhe nuk e njohin shtetin”, ka thënë ajo.