Efekti Delawie – Si dështoi për të dytën herë mbledhja e kryesisë për Specialen

Efekti Delawie – Si dështoi për të dytën herë mbledhja e kryesisë për Specialen

Herën e parë që Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk mundi të procedojë tutje kërkesën e 43 deputetëve për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, ndodhi me 22 dhjetor.

Atë natë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë, të cilën kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e kishte thirrur dy herë, raporton Insajderi.

Mospjesëmarrja e këtyre dy partive në mbledhjen e Kryesisë kishte bërë që ajo të dështojë, e kësisoj edhe nuk kishte mundur të procedohet mbajtja e seancës së jashtëzakonshme, po atë natë, në të cilën do të diskutohej e edhe votohej iniciativa e deputetëve të PDK-së, AAK-NISMA dhe disa pakicave jo serbe për shfuqizimin e  Gjykatës Speciale.

Partitë që po merrnin pjesë në atë seancë ishin ato të koalicionit qeverisës që e quajtën mospjesëmarrjen e LDK-së dhe VV-së në mbledhje si një sabotim me qëllim të mos procedimit të kësaj iniciative.

Kryetarët e grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së natën e 22 dhjetorit nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë, pasi ishin takuar edhe me ambasadorët e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, që e cilësojnë iniciativën  për shfuqizimin e Speciales si “rrezikun më të madh që mund ta ketë Kosova”.

Por Kosova e kaloi këtë rrezik, megjithatë iniciativa e deputetëve vazhdon të mbesë ende valide, përkundër një tërheqje publike që e pati bërë shefi i PDK-së, Kadri Veseli.

E të mërkurën e 17 janarit, kjo iniciativë do të duhej të merrte dritën jeshile në Kryesi. Për dallim prej natës së 22 dhjetorit, këtë herë në mbledhje nuk shkuan partitë e koalicionit qeverisës, raporton Insajderi.

Kësisoj Kryesia dështoi që të mbajë seancën për shkak se aty nuk ishin shefat e grupeve parlamentare të partive të PDK-së dhe AAK-NISMA.

E gjithçka u lidh, sërish me presionin ndërkombëtarë, saktësisht me atë ambasadorit amerikan.

Pas mesazhit që dha nga Biblioteka Kombëtare për të gjithë ata që tentojnë ta shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale, ambasadori Delawie vazhdoi drejt presidencës, ku takoi presidentin Hashim Thaçi, por larg medieve.

Në takim u tha se ishte edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, por ajo u mohua nga zyra e këtij të fundit. Veseli nuk doli fare para gazetarëve, por Avdullah Hoti i LDK-së tha se kjo tregon se institucionet e Kosovës janë jofunksionale.

Hoti tha se shfuqizimi i Speciales ishte në rend dite, duke treguar se si do të vepronte LDK-ja kur do t’i vinte radha asaj pike për diskutim.

Ndërsa për AAK-në qëndrimi kundër Speciales mbetet i pandryshuar. Ahmet Isufi ka thënë se nënshkrimet e deputetëve janë ende valide dhe më tutje presin se si do të vendoset për këtë çështje.

Përfaqësues nga Vetëvendosje nuk kanë dashur të deklarohen para gazetarëve, derisa Glauk Konjufca është parë të vijë në takim kur ai veçse kishte përfunduar./Insajderi.com