Pronari i “Z Mobile” Blerim Devolli, në një intervistë për Portalin Telegrafi ka thënë se as një herë nuk ka pasur qëllim të dëmtojë Telekomin e Kosovës, e as të punësuarit në vend.
Madje sipas tij, është dikush tjetër ai që deshi ta dëmtojë PTK-në.
“Nuk është e rastësishme se bllokimi i tërësishëm i respektimit të kontratës Telekom-Z Mobile është bërë në kohën kur një ish-drejtor nga IPKO ka ardhur si drejtor në Telekom. Për këto do të flasë koha dhe drejtësia”, ka thënë Devolli në këtë intervistë.
Ai i është referuar Ejup Qerimt i cili ka punuar në ”IPKO Telecommunications”, si udhëheqës i zyrës për menaxhimin e projekteve dhe anëtar i menaxhmentit, ku ka implementuar projekte të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve.
Qerimi erdhi në shkurt të vitit 2012 në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së me votat e bordit drejtues të udhëhequr nga Rexhë Gjonbalaj një ish-këshilltar komunal i PDK-së në Pejë.
Ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë në tetor të vitit 2014 nga Bordi drejtues i PTK-së që njoftoi se shkarkimi bazohet në nenin 18.3 të Ligjit për Ndërmarrje Publike. Ky nen obligon bordin që të marrë masa në rast të dështimit të ndërmarrjes.
Devolli në intervistën për “Telegrafin” tregoi se ka qenë iniciativë e tij personale, gjetja e një zgjidhje, edhe pse me humbje për Z Mobile, me Telekomin pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
“Ne kemi qenë të detyruar për t’iu drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar, për shkak se menaxhmenti i Telekomit nuk shprehte vullnetin e mirë për ta përmbushur kontratën me ne, duke na shkaktuar kështu humbje që sipas përllogaritjes së Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit kapin vlerën prej rreth 30 milionë eurove, na u duk e rëndë ta mbajmë mbi supe humbjen eventuale të vendeve të punës të të punësuarve në Telekomin e Kosovës, ashtu siç ankoheshin nga Telekomi. Për këtë arsye, unë iu thashë se jam i gatshëm të negocioj për të gjetur mundësi për të mos u dëmshpërblyer, sipas vendimit të arbitrazhit. Dhe mendoj se e arritëm këtë”, ka thënë Devolli.