Ekskluzive – Flet për Insajderin fotografi kinez nga zona e prekur prej koronavirusit

Drita Rashiti

Ekskluzive – Flet për Insajderin fotografi kinez nga zona e prekur prej koronavirusit

Haeso Ding është fotograf nga Kina. Ai jeton në një nga zonat që është prekur nga Koronavirusi. Gjithë përjetimin e këtyre ditëve – në vendin e izoluar prej botës – ai e ka shpalosur ekskluzivisht për Gazetën Insajderi.

Pasionin e tij prej fotografi ka ditë që nuk mund ta zhvillojë. Ndonjë shkrepje aty-këtu mund ta bëjë vetëm nga dritarja e dhomës së tij në Chandu të Kinës.

Haeso Ding sikurse shumë bashkëvendës të tij është izoluar për shkak të virusit vdekjeprurës, i njohur si koronavirus.

Në këtë intervistë për Insajderin, Ding që është nga Chengdu në Kinë, ka rrëfyer momentet rrëqethës që po i kalojnë ditëve të fundit për shkak të përhapjes së madhe të virusit.

Ai thotë se po qëndrojnë të mbyllur në shtëpi dhe e kanë shumë të vështirë të sigurojnë ushqimin.

“Jemi duke qëndruar me ditë të tëra të mbyllur në shtëpi, nuk kemi dalë fare nga shtëpia. Tani 500 mijë njerëz janë shpërngulur në Wuhan, shumë njerëz përreth  janë të sëmur. Qeveria ka bërë një thirrje që të mos dalim jashtë, shumë shkolla dhe kompani tani janë të mbyllura”, ka thënë Ding.

I pyetur nga Insajderi se pse nuk lëvizin nga vendi për një kohë të shkurtër, ai u përgjigj së është e pamundur.

“E kemi thuaje të pamundur sepse nuk funksionon asnjë autobus apo ndonjë linjë tjetër, rrugët janë të mbyllura dhe vendi duket shkatërrimtar si të ishte një luftë”.

“Njerëzit po çmenden në shtëpitë e tyre. Jemi duke pritur që të bëhet mirë, mendoj që deri në verë do të jetë kështu”, tha Ding.

Fotografia e Haeso Ding, nga dhoma ku ai është izoluar.

Ai nga dritarja e shtëpisë së tij ka treguar për gjendjen momentale në Chengdu të Kinës.

“Do të doja të bëja fotografi  në çdo cep të qyteteve dhe çdo gjë që e rrethon vendin por është shumë rrezik të dal jashtë”, ka thënë Ding për Insajderin.

Pak orë para se të izoloheshin në shtëpi ai ka realizuar këtë fotografi për të dëshmuar se vendi në të cilin ai jeton kishte filluar dukej i “shkretë”, pasi që njerëzit friksoheshin të dilnin jashtë.

Epidemia e një koronavirusi të ri, që u shfaq në qytetin kinez të Vuhani, ka infektuar tashmë mbi 4.000 njerëz – kryesisht në Kinë, por edhe në disa vende të tjera, nga Tajlanda në Francë, dhe Shtetet e Bashkuara – duke vrarë deri tani më shumë se 100 persona.

Fillimisht qeveria kineze u përpoq ta fsheh kaftin se ky virus ka nisur të përhapet shumë shpejt në Kinë, ndonëse rasti i parë u raportua më 8 dhjetor 2019.

Komisioni shëndetësor  komunal në Vuhan, e bëri publik këtë vetëm disa javë më vonë, por vazhdoi të insistonte se nuk është përhapur te njerëzit tjerë e as te mjekët edhe përkundër që me 5 janar u konfirmuan 59 raste.

Javën e fundit janë marrë masa më radikale në përpjekje për trajtimin e të prekurve dhe mospërhapjen e më tejmë.

Brenda 48 orësh u ndërtua spitali për të prekurit me korona virusin, me kapacitetin 1000 shtretër.  Sot u paralajmërua se një tjetër spitale me 1600 shtretër do të ndërtohet deri me 5 shkurt./Insajderi.com