Gazeta Online Shqip.com ka siguruar planin operativ të" />

Ekskluzive: Kështu u planifikua operacioni në Veri nga policia – “rreziku i mesëm kah i lartë”, përdorimi i forcës, sipas ligjit

Ekskluzive: Kështu u planifikua operacioni në Veri nga policia – “rreziku i mesëm kah i lartë”, përdorimi i forcës, sipas ligjit

Gazeta Online Shqip.com ka siguruar planin operativ të Policisë së Kosovës, i cili ishte përgatitur para se forcat policore të fillonin aksionin në Veri të vendit, për të vendosur reciprocitet për targat me Serbinë.

Urdhri operativ i policisë i titulluar “Qarkullimi i Automjeteve” ishte përpiluar në detaje qysh para ndërhyrjes të së hënës së 20 shtatorit.

Dokumenti i plotë që ka parë Shqip.com përmban pesë pika gjithsejtë me shumë nënpika të tjera, duke filluar nga “qëllimi” i operacionit, pastaj “metoda e përgjithshëm” se si do të ndërmerret ai, që shpalos se cilat divizione do të marrin pjesë dhe cilat do të jenë detyrat e tyre gjatë operacionit.

Pika e radhës, sipas urdhrit operativ, ka të bëjë me administrimin e aksionit dhe më pas është shpjeguar se cilat do të jenë format dhe metodat e komunikimit.

Policia, siç tregon dokumenti që ka parë Shqip.com, vlerëson se ky operacion në shkallën rrezikshmërisë është i mesëm, por që shkon ka rreziku i lartë.

“Vlerësimi i përgjithshëm i nivelit të rrezikshmërisë sipas departamentit për hetime lidhur me këtë aktivitet konsiderohet të jetë mesatar kah i lartë”, thuhet në dokument.

Sa i përket përdorimit të forcës, sqarohet se “çdo përdorim eventual i forcës duhet të bazohet në ligjin për policinë nr. 04/L-076 si dhe Udhëzimet Administrative të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”.

Te ky ligj, në nenin 26 të tij në pikën dy, saktësohet se “zyrtari policor mund ta përdorë forcën për ta mbrojtur jetën e personit, për ta parandaluar sulmin, kryerjen e veprës penale, arratisjen e kryesit të veprës apo atëherë kur masat e tjera nuk janë të suksesshme për arritjen e një objektivi tjetër legjitim të policisë”.

Kurse në nenin 27 të këtij ligji, për përdorimin e armës së zjarrit në pikën një të tij, thuhet se “zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për ta arritur objektivin ligjor të policisë, kur përdorimi i saj është në proporcion me shkallën e rrezikut”.

Ndërsa, në të njëjtin nen, por në pikën dy të tij, precizohet se “zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta”.

Gjithsesi, në dokument thuhet se “ky plan operativ mund të ndryshojë varësisht nga rrjedha e situatës dhe informatave të cilat arrijnë”.

Ideja e gjithë operacionit, edhe nga ajo që del nga urdhri operativ që e ka parë Shqip.com është “shtimi i masave operative policore që të ndalohet dhe të tërhiqen nga qarkullimi rrugor mjetet me targa KS pasi që afati i skadencës së regjistrimit iu kalon”.

Por, gjithashtu edhe mjetet me targa me akronime të qyteteve të Kosovës si dhe zbatimi i masës së reciprocitetit në lidhje me targat”.

Sipas asaj që tregon dokumenti, në këtë operacion janë të përfshirë Departamenti i Operacioneve, Departamenti i kufirit, ai i Hetimeve dhe gjithashtu Departamenti i Njësive të Specializuara.

Derisa departamentet tjera janë të angazhuara për realizimin e operacionit, departamenti i hetimit, apo DIA, angazhohet për të bërë “vlerësimin e situatës në vazhdimësi para dhe gjatë operacionit”.

Po ashtu, në urdhër operativ kërkohet që “çdo informacion relevant të dërgohet me kohë tek udhëheqësi i operacionit”.

“Urdhri operativ” është konfidencial dhe afati i ruajtjes është pesë vjeçar. Ai ishte dorëzuar me 15 shtator si i përfunduar.

 

Çfarë ndodhi në Veri?

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën show”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Përveç diplomacisë së BE-së, ambasadave të vendeve mike, së fundmi edhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka bërë thirrje që të ulen tensionet në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit me targat e veturave. Sipas tij, palët duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të shmangin tensionet përmes procesit të dialogut politik.

Përkundër gjithë çfarë ndodhi për katër ditë rresht, deri më tani asnjë incident nuk është raportuar, teksa i pari i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se nuk presin përshkallëzim të situatës as në vijim. /Insajderi.com